Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, Policia e Kosovës i ka ofruar mbrojte të afërt pasi ka marrë kërcënime gjatë ditës, mëson Albanian Post.
Kërcënimet kanë ardhur si pasojë e deklaratës së Pecit mbrëmjen e kaluar se ka të gjetura skandaloze nga Komisioni që është themeluar pas vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm, rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
“Të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori”, ka shkruar Peci në Facebook mbrëmjen e 19 tetorit.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë në shërbim të zbardhjeve të rasteve.
“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.
Ministri është shprehur se uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet.