Ministrja Gërvalla thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk pritet të hidhet në votim para zgjedhjeve në Francë

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po thotë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk pritet të hidhet në votim nga mekanizmat europian, para pranverës së vitit 2022.

Kjo sipas Gërvallës, meqë Franca ka zgjedhjet e saj dhe e njëjta ka një rol skeptik në këtë çështje, përcjell Klanosova.tv.

”Çështja e liberalizimit të vizave është shtruar, dhe ka një unitet mes shteteve anëtare të BE-së me shumë pak përjashtime që Kosova më në fund jo vetëm që i ka përmbushur por i ka stërmbushur, ato kriteret të cilat duhet përmbushur për të marrë liberalizimin e vizave. Fatkeqësisht një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Janë vendime individuale të shteteve anëtare. Ne duhet të bëjmë atë çfarë ne mund të bëjmë. Që ne kemi bërë progres të dukshëm në plotësimin e kritereve të parapara”.

”Ne do të lusim shtetet anëtare që në fund të gjendet një moment të vihet në votim me qëllim që të shohim se ku jemi dhe cilat shtete i kemi ende skeptike, por kjo është një çështje që për shkak të zgjedhjeve në vende të ndryshme. Gjermania sapo kreu zgjedhjet e veta, Franca ka zgjedhjet e veta në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe unë do dëshiroja shumë por nuk besoj që para zgjedhjeve në Francë, të vihet në votim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në kuadër të mekanizmave europiane”.

Rubikon me Adriatik Kelmendi: Që i bie së paku gjashtë muaj apo edhe më tepër, as nuk do të vie në rend dite?

”Mund të kemi surprizë dhe mund ta kemi shumë më herët votimin, por s’do mund t’më habiste fakti që nëse deri në pranverën e vitit të ardhshëm nuk kemi një votim të tillë”.

Ndërkaq lidhur me ecurinë e punëve në Samitin e BE-së në Slloveni, Donika Gërvalla në Rubikon me Adriatik Kelmendin, dha detaje se si ishte refuzuar propozimi gjerman, që vendet e Ballkanit Perëndimor, të anëtarësohen në Bashkimin Europian në vitin 2030.

”Shtetet e Ballkanit Perëndimor mund t’i ndihmojnë këtij procesi, duke u kujdesur që në vendet e tyre të krijojnë struktura demokratike, të instalojnë sundimin e ligjit dhe të jenë më të përgatitur për momentin kur së bashku me partnerët e BE-së do të mund të përfshihen në këtë mekanizëm”.

”U theksua qartë edhe në samit, që nuk ka një datë ku mund të përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjermania propozoi që ta marrim në 2030, por një propozim i tillë nuk pati sukses”.

”Kjo është e vështirë paraprakisht sepse BE, nuk është një ambient ku ti dëshiron të hysh të bëhesh pjesë për shkak të eurove që merr nga Bashkimi Europian, por duhet të jenë vlerat europiane, shteti ligjor, demokracia të cilat janë synimi yt që të jesh pjesë e kësaj familjeje”.

”Në Kosovë kemi qytetarët ku ideja e Bashkimit Europian është më prezente dhe ka përkrahjen më të madhe jo vetëm në rajon, por në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Momentalisht jemi më së largu, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi shans t’i arrijmë të tjerët”.

”Llogaritur afatgjatë, që sot e deri në anëtarësimin e plotë të BE-së, mendoj që Ballkani duhet t’ia jap mesazhin e plotë BE-së, sepse kemi edhe çfarë t’i japim e jo vetëm t’i marrim BE-së. Jemi perspektiva dhe jo e kaluara e BE-së”.