Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjikë (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, u është përgjigjur kritikave se Qeveria në detyrë ka emëruar zyrtarë partiakë, të VV-së, në bordet e ndërmarrjeve publike, duke thënë se ata janë të përkohshëm dhe se janë aty për “të parandaluar gjakderdhjen financiare”.
Ajo përmes një postimi në Facebook, të premten, ka pranuar se dy zyrtarë që dje u emëruan në borde janë anëtarë të VV-së, partisë kryesore të koalicionit tashmë të prishur. Por sipas saj, ata janë anëtarësuar vonë në VV dhe se nuk kanë asnjë pozitë në parti, transmeton.
“Dje në mbledhjen e Qeverisë kemi shkarkuar bordet ekzistuese e më pas kemi emëruar bordet e përkohshme për Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU ‘Prishtina’. Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët”, ka shkruar ministrja Hajdari.
Sipas Hajdarit, bordet e reja me mandat të plotë do të zgjedhën me procedurë të hapur dhe transparente konkurrimi, jo më larg se gjashtë muaj nga tash.
“Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV, por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani”, ka shtuar ajo.
Qeveria Kurti deri më tash ka shkarkuar disa borde të ndërmarrjeve me arsyetimin se nuk kishin kryer punën mirë dhe se ato ishin të mbushura me militantë partiak.