Dotari iranian është tashmë në UNESCO. A mundet ta regjistrojmë edhe ne çiftelinë? Kësaj pyetje i dha përgjigje në A2 ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Ndjeshmëria e shtuar ndaj kësaj trashëgimie kulturore, në rastin konkret të çiftelisë, është më tepër një tymnajë, e cila nuk ka asnjë bazë ose shqetësim real. Fakti që Irani ka regjistruar në listën e trashëgimisë së tij dotarin, kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë të njëjtën gjë për çiftelinë. Kjo nuk do të thotë që autenticiteti i dotarit të mund të vendoset mbi autenticitetin e çiftelisë, por këtë nuk e gjykojmë ne sot, pasi ka ekspertë, të cilët mblidhen dhe shqyrtojnë kërkesat. Ministria e Kulturës ka marrë edhe një rol aktiv dhe atje ku ka parë një dëshirë të vogël në komunitet ka ndihmuar për ta çuar atë përpara edhe pse nga ana formale dosja duhet të hartohet dhe të vijë të shqyrtohet”, tha Margariti.
Më tej, ministrja bëri të ditur se tashmë janë dorëzuar dosjet për të përfshirë në UNESCO edhe Vallja e Tropojës, Festivali i Gjirokastrës dhe Xhubleta.
“Puna jonë ka shkuar përpara dhe ne kemi çuar përpara kërkesa të ndryshme për paraqitje dosjesh në ONESCO, që nga Vallja e Tropojës, Festivali i Gjirokastrës, Xhubleta, pse jo edhe Fotografinë e Marubit. Kjo ka të bëjë me një dokumentim shumë shkencor. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta që dosja të jetë e plotë”.