Misioni i dështuar për shpëtimin e gruas së lidhur me zinxhir në Kinë

Trafikimi i grave ka qenë një biznes i madh në Kinë për dekada. Një preferencë e gjatë kulturore për djemtë, e përkeqësuar me politikën e vetëm një fëmije, e cila ndikoi që të ketë miliona burra më shumë se gra, shumica prej të cilëve nuk kanë mundur të gjenin partnere. Të varfër, burrat ruralë në lindje të Kinës filluan të blinin gra nga rajonet edhe më të varfra perëndimore të vendit. Xiaohuamei ishte shitur tri herë. Herën e fundit një burrit në Dongji

Një bloger ka vizituar fshatin Dongji, në Kinën lindore, për të gjetur një burrë që ishte i njohur për rritjen e tetë fëmijëve edhe pse ishte në varfëri ekstreme. Ky burrë është bërë subjekt favorit për t’u intervistuar për influencerët që mundohen të tërheqin donacione dhe klikime.

Por atë ditë një fëmijë e ka udhëzuar blogerin te dikush që nuk ka dalë në videot e tjera: nëna e tij.

Ajo po qëndronte në një kasolle pa derë në kopshtin e familjes, në një rrip të dyshemesë direkt në tokë në mes një shtrati dhe një muri me tulla. Ajo kishte veshur një bluzë të hollë edhe pse ishte i ftohtë janari. Kur blogeri e pyeti nëse ajo mund ta kuptonte atë, ajo tundi kokën. Një zinxhir rreth qafës e kishte lidhur atë me murin.

Shpejt videoja u shpërnda në internet dhe menjëherë komentuesit kinezë menduan se ndoshta gruaja i ishte shitur burrit në Dongji dhe është detyruar të ketë fëmijë – një lloj i trafikimit që është problem i kahershëm në fshatrat kineze. Ata kërkuan nga qeveria të intervenojë.

Në vend të kësaj zyrtarët lokalë kanë lëshuar një deklaratë të shkurtër për t’i larguar shqetësimet: Gruaja ishte martuar ligjërisht me burrin dhe nuk ka qenë e trafikuar. Ajo ka qenë e lidhur, sepse ka qenë me probleme mendore dhe ndonjëherë ka goditur njerëzit.

Indinjata publike vetëm u rrit. Njerëzit kanë shkruar duke kërkuar të dinë pse gratë mund të trajtohen si kafshë. Të tjerët kanë shtypur broshura ose kanë vizituar fshatin për të hetuar vetë rastin. Kjo ishte më shumë trafikim, kanë deklaruar njerëzit. Është arsye shtesë pse shumë gra të reja hezitojnë të martohen ose të bëjnë fëmijë, sepse qeveria e trajton martesën si një licencë abuzimi.

Reagimet nga i gjithë vendi zgjatën me javë të tëra. Shumë observatorë e quajtën si momenti më i madh për të drejtat e grave në historinë e vonë kineze. Partia komuniste kineze i sheh reagimet popullore si sfiduese ndaj autoritetit të saj, por kjo ishte aq intensive sa duket që edhe partia do të kishte problem ta kontrollonte.

Por ia doli.

Për të gjetur se si gazetaret e “New York Times” janë munduar të gjenin se çfarë ka ndodhur me gruan e lidhur me zinxhirë dhe ata që kanë protestuar për të. Ata gjetën një rrjet të madh frikësimi brenda dhe jashtë vendit, që përfshinte mbikëqyrje masive, censurë dhe dënime – fushatë që vazhdon edhe sot.

Shtrëngimi tregon se sa shumë janë shqetësuar autoritetet nga rritja e lëvizjeve që kërkojnë përmirësimin e rolit të gruas në shoqërinë kineze. Edhe pse partia thotë që e mbështetë barazinë gjinore, qeveria e ka përshkruar lindjen e fëmijëve si akt patriotik, ka burgosur aktivistët e të drejtave të grave dhe ka censuruar thirrjet për ligje më të forta për të mbrojtur gratë nga keqtrajtimi.

Edhe pse fushata ka detyruar gratë të fshehin revoltimin e tyre, nuk e ka shuar atë. Në mënyrë sekrete një gjeneratë e re e aktivistëve ka lindur dhe është më e vendosur se kurrë për të vazhduar luftën.

Kush është gruaja e lidhur me zinxhirë?

Në shikim të parë Dongji duket si të gjitha fshatrat e tjera në zonën e madhe rurale të Kinës. Dy orë nga qyteti më i afërt, shtrihet në mes fushave të grurit dhe orizit në provincën Jiangsu, gjysmë i zbrazët, shumica e banorëve janë larguar në kërkim të jetesës më të mirë.

Por kur gazetaret e vizituan, një shtëpi me derë të dyfishtë po ruhej nga dy burra. Një kamerë vëzhgimi nga një shtyllë aty afër ishte e drejtuar drejtë hyrjes.

Kjo ishte rruga ku gruaja e lidhur me zinxhirë kishte jetuar.

Zyrtarisht, nuk kishte arsye që shtëpia e tyre të jetë akoma nën vëzhgim pasi sipas qeverisë çështja ishte zgjidhur.

Pas reagimeve të shumta mbi deklarimin e parë të qeverisë, në janar të 2022-tës, zyrtarët premtuan hetim të ri. Gjatë muajit pasues, katër zyra të qeverisë kanë publikuar deklarata që me raste dilnin në kontradiktë – duke ofruar data të ndryshme se kur ajo ishte lidhur me zinxhirë për herë të parë, ose duke sugjeruar se një alternativë mund të ketë qenë që gruaja ka qenë e pastrehë ose ka humbur para se të arrinte në Dongji. Më në fund, pas presionit të madh publik, zyrtarët provincialë në fund të shkurtit të atij viti kanë lëshuar atë që ata e quanin deklarata e fundit.

Sipas atij raporti, gruaja quhej Xiaohuamei, ose “lulja e vogël e kumbullës”(qeveria nuk ka specifikuar në ky është pseudonim apo emër legal). Ajo ishte lindur në Yagu, një fshat i varfër në provincën Yunnan, në jugperëndim të Kinës.

Si adoleshente, ajo kohë pas kohe kishte folur ose ishte sjellë në mënyrë “abnormale” sipas raportit, dhe në vitin 1998, kur ajo ishte rreth 20-vjeçe, një bashkëfshatar i kishte premtuar se do ta ndihmojë në trajtimin e saj. Në vend të saj, ai bashkëfshatar e kishte shitur atë për 700 dollarë.

Trafikimi i grave ka qenë një biznes i madh në Kinë për dekada. Një preferencë e gjatë kulturore për djemtë, e përkeqësuar me politikën e vetëm një fëmije, e cila ndikoi që të ketë miliona burra më shumë se gra, shumica prej të cilëve nuk kanë mundur të gjejnë partnere. Të varfër, burrat ruralë në lindje të Kinës filluan të blejnë gra nga rajonet edhe më të varfra perëndimore të vendit.

Xiaohuamei ishte shitur tri herë, herën e fundit një burrit në Dongji – mbi 3,200 kilometra larg qytetit të lindjes – i cili donte të martonte djalin e tij, Dong Zhimin, sipas qeverisë.

Gjatë 20 vjetëve ajo ka lindur tetë fëmijë edhe pasi shëndeti mendor i saj shihej se kishte degraduar, sipas qeverisë, e cila ka cituar intervistat me Dongun dhe fshatarët. Kur kishte arritur në fillim në Dongji, ajo ka qenë e aftë të kujdeset për vetën, por gjatë kohës kur është gjetur ajo e kishte problem të komunikonte.

Raporti i qeverisë nuk tregonte nëse fshatarët e tjerë e dinin se ajo është trafikuar. Por blogerët që avokonë për bamirësi kanë filluar të vizitojnë Dongun dhe ta prezantojnë atë si baba i adhurueshëm që nga viti 2021 (gruaja është shfaqur në disa video, por e liruar nga zinxhirët).

“Ëndrra ime është që ngadalë t’i rris fëmijët në të rritur të shëndetshëm”, ka deklaruar Dong gjatë komunikimit me një blogger, para se të publikohet videoja e kabinës.

Privatisht ai ka lidhur nënën e fëmijëve me zinxhirë në qafë dhe litarë prej rrobash që nga viti 2017-të, sipas qeverisë. Po ashtu ai nuk e ka çuar atë në spital kur ajo ishte sëmurë.

Censuruesit kanë fshirë videot e familjes dhe të gruas së lidhur me zinxhirë. Në prill të 2023-s, Dong ishte dënuar me burg, bashkë me pesë të akuzuar për trafikim.

Historia zyrtare përfundon këtu.

Hapi i parë: Fshihe viktimën

Çdokush i lidhur me çështjen ose që ka tentuar të flasë është ndaluar.

Viktima është në spital, por nuk dihet lokacioni i saj i saktë.

Kur ekipi i gazetareve iu afruan shtëpisë që burrat po ruanin, ata pyetën se kush janë ata. Njëri bëri një thirrje, derisa tjetri ka bllokuar gazetaren të mos bëjë foto.

Shpejtë 10 persona të tjerë arritën, duke përfshirë disa oficerët të policisë, oficerë të propagandës dhe lideri i fshatit, i cili ka insistuar se skandali është ekzagjeruar.

“Gjithçka është shumë normale, ekstremisht normale”, ka deklaruar ai. Kur ata i pyetën se ku është gruaja, zyrtarët thanë se besojnë se ajo nuk dëshiron vizitorë. Pastaj ata i shoqëruan gazetaret për në stacionin e trenit.

Gruaja mund të ketë zgjedhur të qëndrojë larg publikut. Por qeveria kineze shpesh i heshtë viktimat e krimeve ose të aksidenteve që gjenerojnë zemërim publik. Të afërmit e personave të vrarë në rrëzime të aeroplanëve, pacientët e virusit COVID-19 dhe të mbijetuarit e dhunës në familje, të gjithë nuk janë lejuar të shfaqen, janë kërcënuar ose arrestuar.

Disa javë më vonë gazetaret u kthyen përsëri. Këtë herë vizituan spitalin që televizioni kombëtar kinez ka njoftuar se është dërguar gruaja pasi videoja është bërë virale – vendndodhja e fundit e ditur e saj.

Ekipi i “New York Times” ka ndjekur dr. Teng Xiaoting, mjeken që e ka trajtuar atë. Teng ka thënë se gruaja nuk është më aty dhe se nuk e di se ku ka shkuar.

As banorët e tjerë lokalë nuk kishin informacione. Por shumë njerëz në fshatrat afër kanë thënë se është ditur se shumë gra në atë zonë, duke përfshirë edhe në fshatrat e tyre, janë blerë nga Kina jugperëndimore. Një pjesë e quanin të trishtë; të tjerë ishin më të ftohtë në përballje me situatën.

Por ishte e qartë se të flasësh për trafikime të tilla mund të jetë e rrezikshme.

Derisa ekipi “New York Times” i afrohej Dongjit, një “Volkswagen” filloi t’i ndiqte. Pastaj tetë burra nga fshati i rrethuan dhe filluan t’i quanin tradhtarë të racës (të dy gazetaret janë me origjinë nga Kina) dhe në disa raste kanë shtyrë njërën prej gazetareve. Njëri prej tyre u ka thënë atyre se nëse do të ishin burra ata do t’i rrihnin.

Ata i shoqëruan ato për në rrugën kryesore pasi ato kishin thirrur policinë. Gjatë rrugës njëri prej burrave u ka thënë atyre se ishte në interesin e gazetareve të jenë më të kujdesshme.

“Nëse ju dyja do të dërgoheshit në treg dhe t’ju shisnin, pastaj çfarë do të bënit?”, ka thënë ai.

Hapi i dytë: Heshtja e bisedave

Pasi historia e gruas u publikua në janar të 2022-tës, kontrollet më të mëdha ishin në Dongji. Por qeveria veproi në të gjithë vendin për të ndaluar debatet që nxiti ajo.

Studentët e juridikut kanë mbikëqyrur dënimin për blerjen e një gruaje të trafikuar – tre vjet burgim – që ishte më pak se të shesësh një zog të rrezikuar. Të tjerët kanë përmendur gjykatësit që kanë refuzuar aplikimet për divorc nga gratë që dihet se janë abuzuar apo trafikuar dhe se qeveria në mënyrë të përsëritur ka refuzuar thirrjet për ta kriminalizuar përdhunimin brenda martesës.

Për t’i ndaluar këto biseda, policia ka ndjekur persona si He Peirong, një aktiviste veterane e të drejtave të njeriut, që ka udhëtuar 320 km për në zonën rreth Dongjit për të kërkuar për gra të tjera të trafikuara.

Kur ajo ishte kthyer në shtëpi, policia i trokiti në derë, duke e pyetur pse kishte shkuar. Ata e vizituan atë rreth 20 herë gjatë muajit pasues, duke e detyruar atë të fshijë publikimet e saj në internet rreth udhëtimit të saj dhe duke e kërcënuar se do ta arrestonin.

Po ashtu ata kanë përmendur edhe gazetarë të tjerë që ajo kishte kontaktuar, për t’i treguar se ata po i përcillnin komunikimet e saj. Ata edhe e detyruan të shkojë në pushime të detyrueshme në provincën e afërt të Anhuit – një hap i ditur që bëhet për të kontrolluar lëvizjet e disidentëve.

Ndjekje të ngjashme kanë ndodhur edhe në anën tjetër të vendit. Një avokat me emrin Lu Tingge, banor i provincës Hebei, rreth 1000 kilometra nga Dongji, ka deklaruar në një intervistë se një zyrtar nga Jiangsu ka udhëtuar për në qytet, për të shtyrë atë të tërheqë një peticion që kishte filluar për të kërkuar më shumë informacione rreth çështjes (ai refuzoi, por deklaroi se kurrë nuk e ka marrë informacionin).

Libraritë që kishin vendosur të promovonin botime feministë janë detyruar t’i largojnë. Një numër i madh i artikujve rreth grave në internet janë censuruar , China Digital Times, një identifikues i censurave, ka arkivuar rreth 100 artikuj, edhe pse kishte më shumë që janë censuruar.

Fushata është zgjeruar edhe jashtë vendit. Një grua që jeton jashtë vendit ka deklaruar në një intervistë se policia i ka thirrur prindërit e saj në Kinë pasi ajo kishte postuar në internet foto të vetes të lidhur me zinxhirë.

He, aktiviste veterane, ka zbuluar se qeveria është më e shqetësuar me feminizmin se sa ajo kishte menduar. Ajo ishte arrestuar më herët për një aktivizëm tjetër, por ky presion i gjatë me muaj “i ka kaluar të gjitha”, sipas saj.

Hapi i tretë: Arrestoni ata që përsërisin

Për të shmangur arrestimin, He ka ndaluar publikimet rreth çështjes, dhe ka ikur nga Kina për në Tajlandë.

Ata që refuzojnë të ndalojnë i kanë vuajtur pasojat.

Dy gra tjera po ashtu kanë udhëtuar për në Jiangsu pasi doli videoja, për të vizituar gruan e lidhur në zinxhirë në spital. Duke e identifikuar veten në mediat sociale vetëm me nofka, Wuyi dhe Quanmei, ato deklaruan se ishin vetëm gra të zakonshme që po tregonin solidaritet.

“Motrat tua po vinë”, ka publikuar Wuyi.

Ato ishin ndaluar për të hyrë në fshat apo spital, sipas videos së Wuyit. Por udhëtuan rreth qytetit, me mesazhe për gruan të shkruara me buzëkuq në makinën e tyre.

Shpejtë ato tërhoqën shumë ndjekës, përditësimet e tyre ishin shikuar qindra miliona herë.

Jo shumë gjatë dhe ato ishin arrestuar nga policia lokale, pas lirimit të tyre disa ditë më vonë, Quanmei u hesht në internet.

Por, Wuyi, refuzoi të heshtë. Në një postim në rrjetet sociale ajo kishte deklaruar se policia i kishte vendosur një qese mbi kokë dhe e kishte rrahur. Ajo ka publikuar një foto të një shenje në krah, duke thënë se ishte e tronditur se si veprimet e vogla të saj kishin nxitur kaq reagim të vrazhdë.

“Gjithçka që gjithmonë kam besuar, gjithçka që vendi më ka mësuar gjithmonë, të gjitha u bënë gënjeshtra”, ka shkruar ajo.

Pas dy javëve Wuyi u zhduk përsëri. Këtë herë, policia e arrestoi atë për tetë muaj, sipas një të afërmi. Ajo është liruar por nuk ka publikuar asgjë që atëherë.

Përgatiti: Shkëlzen Dema