Forcat RENEA, njësi Anti-terror dhe njësia anti-eksploziv janë futur në ambientet e brendshme të ambasadës iraniane, pas largimit të trupës diplomatike drejt aeroportit të Rinasit.
Në foton e siguruar nga Euronews Albania, shfaqet momenti kur forcat RENEA mësynë në ambientet e ambasadës.
Një pjesë e dokumenteve që ndodheshin në ambasadë janë shkatërruar gjatë ditës së djeshme, por do kontrollohet godina për të gjetur prova apo dokumente me interes.
Brenda ambasadës janë vetëm disa persona, staf shqiptar.
Kryeministri Edi Rama kërkoi një ditë më parë që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.
Gjatë një fjalimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.