Një tentakulë biznesi e njerëzve të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për vite rresht ka shërbyer në Kosovë si magnet për të nxjerrë para, kryesisht nga xhepi i të varfërve. Ajo është mbyllur tek të premten, shkruan sot Koha Ditore.
Është “Monego”, një institucion financiar jobankar, aksionar i vetëm i të cilit në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit figuron letonezi Aigars Kesenfelds.
Krahas saj, është mbyllur edhe institucioni mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo”, që për aksionar ka “As lute Credit Europe”.
Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore, dryni u është vënë të dyjave, për shkak që nuk kanë zbatuar rregullat, në bazë të të cilave u ishte lejuar ushtrimi i veprimtarisë.
“Gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”, ka thënë guvernatori Fehmi Mehmeti.
“Devijimi më i rëndësishëm dhe më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi, të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi”.
“MONEGO është në pronësinë e Aigars Kesenfelds një biznesmen e cili është i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, shpërlaje të parave dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko. MONEGO tani ka filluar të shtrijë rrjetin e saj edhe në Kosovë, ku fluksi i qytetarëve është jashtëzakonisht i madh për të marr kredi të shpejta”.
Bazuar në hulumtimet e bëra nga Kosova.info, “ky sistem i kredive të shpejta ka rezultuar të jetë fatal për shumë familje nëpër vende të ndryshme të Evropës. Mashtrimi përmes marketingut dhe normat e larta të interesit janë në kundërshtim edhe me normat reale të BQK-së. Sistemet e tilla nga i njëjti pronar dhe mashtrimet që janë bërë nëpër shumë shtete të Evropës, sot po rrezikojnë qytetarët e Kosovës nga një “sistem piramidal” siç është MONEGO.”
Biznesi i kredisë së shpejtë po gëzon plotësisht “marrjen” ekonomike dhe po fiton miliona në vit.
Fajde apo kreditimi grabitqar dënohet me burg, por Kosova, ndryshe nga shtetet e tjera, nuk i ka kufizuar kurrë normat e interesit të biznesit. Së paku deri tani, megjithëse situata tashmë ka arritur limitin e saj, ku kosovarët janë të zhytur deri në fyt në borxhe, fajde dhe kredi, e shumë nga ta edhe i kanë dhënë fund jetës së tyre apo edhe të tjerë që kanë humbur gjithë pasurinë ( biznes, shtëpi, makina apo dhe pasuri të tjera), kjo dukuri është mjaft shqetësuese dhe askush nuk e ka marrë seriozisht deri më tani.
Ndryshe nga bankat, të cilat duhet t’i raportojnë çdo muaj mbikëqyrësit të bankës, firmat e kreditit të shpejtë nuk janë nën kontroll të rreptë dhe ato përdorin marketing jo të saktë duke mashtruar huamarrësit.
Aigars Kesenfelds pronari i cili po përdor këtë strategji me marketing përmes kredisë së shpejtë MONEGO, i njëjti kishte vepruar edhe në Lituani dhe në shtetet e tjera baltike ku mashtrimi përmes marketingut kishte qenë shqetësuese dhe shkatërrues për shumë familje dhe biznese të vogla familjare, një gjë e tillë ka ndodhur edhe në vendlindjen e pronarit të MONEGO-s, Aigars Kesenfelds ku tani veprimtarinë e njëjtë po e zhvillon edhe në Kosovë.
Strategjia e biznesit të tyre po zhvillohet duke formuar imazhin e saj të korporatës duke sponsorizuar bamirësi dhe ngjarje sportive dhe duke mbështetur ide inovative të biznesit, një praktikë e tillë ishte përdorur në Letoni, Lituani, Suedi, Finlandë, këtë e kishte përdorur pronari i MONEGOs përmes 4Finance i cili është modeli i MONEGO-s në Kosovës.
Për të gjitha këto Kosova.info ka kontaktuar me MONEGO-n në Kosovë dhe janë pyetur për të kaluarën e pronarit të tyre dhe të gjitha këto ‘mashtrime’ që janë bërë nga ana e tij, ata në përgjigjen e tyre kanë thënë se MONEGO në asnjë rast dhe me asnjë qëllim nuk synon shfrytëzimin e qytetarit të Kosovës, përkundrazi ka investuar në masë të madhe në sjelljen e një modeli, teknologjie super të avancuar.
Sa i përket akuzave për pronarin Aigars Kesenfelds, ata i kanë mohuar akuzat.
“Na lejoni të ju sigurojmë që z. Aigars Kesenfelds, si shtetas i Bashkimit Evropian dhe pronar i dhjetëra bizneseve në BE që në asnjë mënyrë të vetme nuk kanë probleme me ligjin në shtetet e tyre respektive, nuk ka asgjë të bëjë me shtetet dhe/apo personat që ju keni përmendur. Aq më pak me Z. Oleg Boyko, me të cilin nuk e lidhë asnjë pronësi e vetme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kosova.info ka kërkuar që të shkojë dhe të takohet me ta për bërjen e një interviste me kamera për transparencë dhe etikë e mbi të gjitha për zbardhjen e këtyre fakteve ata kanë përmendur ligjin dhe mundësinë për akuzë ligjore.
“Përndryshe, përgjigjet tona përfshijnë çdo gjë të nevojitur nga ana jonë. Nuk kemi asgjë për të shtuar, përveç se t’ju rikujtojmë rëndësinë ligjore të mbështetjes së akuzave me fakte kredibile”, shkruhet në përgjigjen e MONEGO-s.
Në publikimet e tjera ne do ju sjellim edhe rrëfimet e qytetarëve nga shtetet e BE-së, se si kanë rënë pre e mashtrimeve të marketingut të kredive të shpejta