Sektori minerar e kundërshton vendimin për vendosjen e moratoriumit për gurëthyesit e rinj dhe ata në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dyvjeçare. Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon qartësimin e vendimit, përderisa disa kompani që veprojnë në këtë fushë ankohen se një gjë e tillë i çon drejt falimentimit
Për dy vjet gurëthyesit e rinj dhe ata në procedurë për pëlqim mjedisor nuk do të mund të pajisen me këtë dokument. Po ky vendim i ministrit të Mjedisit dhe Infrastrukturës shkaktoi edhe konfuzitet te ky sektor.
Lavdim Gashi, që merret me përpunimin e gurit pllakor, po e kundërshton moratoriumin, duke thënë që kjo mund të çojë edhe në falimentimin e kompanisë së tij.
“Ende nuk e kemi vendimin dhe nuk e dimë se çka përfshihet në atë moratorium, por ky nuk është një vendim i mirë. Ka shumë arsye për këtë, ndikon në largimin e punëtorëve të sektorit privat. Kur mua ma ndërpresin punën, atëherë nuk mund t’i paguaj punëtorët. Pika tjetër është tek kontratat me klientët. Në momentin që ndërpritet puna, atëherë biznesi falimenton”, ka thënë Gashi, që drejton kompaninë e cila është aktive që nga viti 1987. Moratoriumin e ka konsideruar bllokim të biznesit.
“Neve na skadon licenca më 22 nëntor e kjo paraqet problem për ne meqë i kemi kontratat me klientët. Kjo nuk është zgjidhje që të bllokohet një biznes. Nuk është e nevojshme kjo burokraci përderisa e kemi një problem tjetër, ikja e punëtorëve nga Kosova”, ka thënë ai.
Vendimi ende nuk është publikuar, por që ministri Liburn Aliu nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale ka treguar se moratoriumi zgjat për periudhën dyvjeçare dhe se do të themelohet një grup punues që do të shqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve të gurëthyesve.
“Si ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kam marrë vendim për vendosjen e moratoriumit për gurëthyesit e rinj dhe ata në procedurë për pëlqim mjedisor për periudhën dyvjeçare (qershor, 2021 – qershor, 2023). Pjesë e këtij vendimi është themelimi i grupit punues ministror, i cili do të shqyrtojë ligjshmërinë e aktiviteteve të gurëthyesve, ndikimin e tyre në mjedis, si dhe masave që duhet të ndërmerren për rehabilitimin e tyre”, bëhet e ditur në njoftimin që ka lëshuar Aliu.
Pas këtij njoftimi Oda e Afarizmit e Kosovës ka kërkuar takim me ministrin për të marrë më shumë detaje rreth moratoriumit.
Fjolla Smajli, nga ky institucion, ka thënë se pret të arrihet një marrëveshje e përshtatshme për të dyja palët.
“Ne si Odë e Afarizmit të Kosovës jemi të shqetësuar lidhur me këtë propozim-vendim, i cili pritet të merret nga ministri Aliu. Nëse veç merret ky vendim, atëherë sektori minerar është një prej sektorëve që afektohet drejtpërsëdrejti nga një vendim i tillë dhe i cili do të shkaktojë dëme qofshin ato materiale apo edhe të llojeve të tjera. Ne si OAK kemi kërkuar që para se të merren vendime të tilla të kemi konsultim paraprak me sektorin e bizneseve dhe të ulemi e të diskutojmë se cila është zgjidhja më e mirë”, ka thënë Smajli. Ajo ka shtuar se ende mbetet e paqartë nëse nga ky moratorium do të afektohen vetëm gurthyesit e rinj.
“Ne kemi kontaktuar edhe me Ministrinë, por përderisa vendimi ende nuk është i publikuar atëherë informacionet janë të mangëta në këtë aspekt. Mirëpo, një gjë është e ditur që sektori minerar është ai i cili do të preket, qofshin gurthyesit e rinj, të cilët nuk do të mund të pajisen me lejepëlqim për të vazhduar dhe operuar punën e tyre apo në versionin edhe më të keq, kur kompanive të cilave u skadon licenca nuk do të kenë mundësi të vazhdojnë licencën e tyre nga qershori i këtij viti deri në qershorin e vitit 2023”, ka thënë Smajli.
Në tërë territorin e Kosovës licencë aktive për shfrytëzim kanë 331 gurthyes, ndërkaq, sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, leje për aktivitet të veçantë kanë 317. Për sektorin minerar ka qenë e pamundur të pajisen edhe me licenca që nga gushti i vitit 2020 për shkak të mungesës së bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Që nga ajo kohë janë 161 kërkesa për licencim, vazhdim të licencës e leje për aktivitete të veçanta që kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së bordit të KPMM-së.