Për rreth një javë murali i Emona Dedës në Tiranë u finalizua, u censurua nga ata që e ftuan, “Mural Fest Tirana”, e tash është zhdukur tërësisht. Derisa po e realizonte iu kërkuan ca ndryshime të cilat i realizoi, e kur u kthye në Kosovë iu bë me dije se ka edhe të tjera ndërhyrje për të vazhduar me finalen: mbulimin e tërësishëm të tij. Deda thotë të jetë zhgënjyer
Artistja nga Kosova, Emona Deda, do të ftohej nga organizatorët e “Mural Fest Tirana” që t’i bashkohej grupit të artistëve nga bota për realizimin e muraleve që do të zinin faqe muresh në kryeqytetin shqiptar. Ajo dhe artisti nga Shqipëria qenë të vetmit nga këto anë në grupin e 12 artistëve pjesëmarrës. Dedës iu caktua një objekt i Radiotelevizionit Shqiptar, gjithçka shkoi mirë, portretizoi një vajzë me lojë tonesh në ngjyra, e finalizoi, por më pas lindën telashet. Organizatorët fillimisht i kërkuan ca modifikime, më pas ndërhynë vetë në vepër, por s’u ndalën me kaq. Murali i saj tashmë është zhdukur. Krejt kjo ngjau kur Deda u kthye në Kosovë.
Ka thënë të jetë zhgënjyer dhe akuzon për shkelje të lirisë artistike. Organizatorët as sot, kur kanë kaluar disa ditë prej zhdukjes së muralit të saj, s’i kanë dhënë përgjigje. E kanë shkëputur edhe kontaktin me të pasi kërkoi sqarime dhe reagoi në profilin e saj në rrjetin social Facebook.
“Pavarësisht punës sime të pandalur gjatë shtatë ditëve për të përfunduar muralin, një ditë pas, me t’u kthyer në Kosovë, kuptoj përmes gazetarëve që në punimin tim kanë ndërhyrë vetë organizatorët duke e tjetërsuar atë. Disa nga artistët e tjerë që kanë qenë të ftuar veçse i njoh nga organizimi i ‘Mural Fest Kosova’ në Ferizaj, ku kam qenë pjesë e organizmit. Gjëja më e rëndësishme që kam mësuar gjatë këtyre viteve që angazhohem aty është e drejta autoriale. Për këtë, siç duket, nuk ia paskan haberin kolegët tanë në Tiranë”, kishte shkruar ajo në reagim.
Autorja e muraleve të realizuara në kuadër të “MuralFest Kosova” në Ferizaj e pjesë e organizimit të tij, është shprehur e pakënaqur e madje e zhgënjyer me versionin e Festivalit në Tiranë.
Në përgjigjet për KOHËN ajo ka thënë të mos jetë njoftuar për ndryshimet që do të bëheshin në muralin që mban firmën e saj. Ka thënë të ketë kontaktuar kuratorin Helidon Halili. “Përgjigjja” e tij qe një “bloc” në Facebook.
Punën për muralin e saj në Tiranë, Emona Deda do ta niste në ditën e tretë të shtatorit për ta përfunduar pas një jave. Dy ditë pas përfundimit të veprës do të pranonte fotografi ku dukshëm vëreheshin ndërhyrjet në mural.
“S’di as se si ta përshkruaj atë ndjenjë, ka ndodhur në një periudhë shumë të shkurtër saqë kur e kam parë që kanë ndërhyrë, për një moment mendova mos është photoshop apo diçka, derisa u sigurova që e kanë pikturuar me të vërtetë”, ka thënë Deda për KOHËN.
Në prapavijën e bardhë të sipërfaqes së murit me ngjyrë të kuqe ishte pikturuar një vajzë me flokë të shkurtër me shikimin përpara e duar në gjunjë. Portreti me ngjyra të ngrohta përshtatej me objektin e përzgjedhur për të. Në pjesën e poshtme dhe të djathtë të muralit janë bërë ndryshimet e kërkuara nga organizatorët e “Mural Fest Tirana”. Sapo artistja ishte kthyer në Kosovë, ishte fshirë pjesa e poshtme që ishte kërkuar me arsyen për t’u përshtatur me objektin e Radiotelevizionit për ta zëvendësuar me një pjesë më të ekzagjeruar sipër muralit.
Deda ka thënë se organizatorët kanë qenë dakord dhe i kanë pranuar ndryshimet në skicë si përfundimtare.
“Për mua më shumë rëndësi ka pasur pamja e muralit tim në përfundim, asgjë më shumë. Për këtë arsye kemi toleruar goxha shumë dhe jemi munduar me qenë sa më korrektë, jo vetëm unë, por edhe artistët nga shtetet e tjera”, ka thënë Deda.
Mangësitë në organizim i ka përmendur me theks të veçantë, ndërsa dëshpërimin kur mungesave iu shtuan edhe ndërhyrja e fshirja e muralit në të cilin kishte punuar për shtatë ditë.
“Shumicën e kohës më kanë acaruar mangësitë në organizim, pastaj kur krejt këto ndodhën, të them të drejtën, jam dëshpëruar. Nuk kam pritur se do të jenë njerëz që nuk e respektojnë të drejtën autoriale edhe pse mundohesh t’i përshtatesh një kërkese që e kanë pasur”, ka thënë Deda.
“Mural Fest Tirana” që në kryeqytetin shqiptar vlerësohet si traditë e një arti që nuk vdes kurrë, është organizuar nga Agjencia e Dekorit në kuadër të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me organizatën kulturore “VIZart”. Ka pasur emra të shquar pjesëmarrësish.
“Dera e ‘Mural Fest’ është e hapur për të gjithë të pasionuarit pas artit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën”, kishte thënë kuratori i këtij festivali, Helidon Haliti, në hapjen zyrtare më 5 shtator e që do të ketë aktivitete deri në fund të muajit.
Piktorja Lebibe Topalli është artisja më meritore për përhapjen artit të muraleve vitet e fundit në Kosovë. Ferizaj, ku qysh më 2016 fillimisht organizoi “Mural Festin”, tashmë ka marrë epitetin “qytet i muraleve”. Pikërisht në festivalin që themeloi, njohu edhe Emona Dedën. E habit qasja e “Mural Fest Tirana”.
“Gjatë dekadave si ligjëruese e artiste, një ndër aspektet më përmbushëse të këtij profesioni është të shohësh të rinjtë, dikur vetëm fëmijë të vegjël e xhahilë ndaj të ligave të kësaj bote, të ushtrojnë talentin e tyre me vullnet dhe punë të palodhshme. Emona Deda është një ndër këta të talentuar, të cilën vështruam nga afër të rritet e të piqet në një artiste të kompletuar”, ka thënë Topalli, duke shtuar se dedikimin Deda e shfaqi edhe në Kosovë “ku puna e saj është e vulosur gjithandej nëpër muret e Ferizajt e Prishtinës”. Qe kënaqësi kur pa Emona Dedën duke depërtuar edhe përtej kufijve të Kosovës, duke i përfaqësuar denjësisht në festivale të karakterit ndërkombëtar në Maqedoni.
“Ngjashëm si kjo, vëllezërit tanë nga Tirana ftojnë Emonën si artiste e re për t’iu bashkangjitur festivalit të tyre të muraleve. Patjetër që një ftesë e tillë u mirëprit jo vetëm nga Emona, por edhe nga të gjithë artistët kosovarë që panë Emonën si ambasadore të artit kosovar në Shqipëri. Nisëm Emonën për Shqipëri dhe vështruam virtualisht tërë procesin e punës së saj duke u mburrur me profesionalizmin që kjo vajzë e re po tregonte”, ka thënë Topalli për KOHËN.
Por kur kolegia e tyre u kthye në Kosovë, asaj iu cenua autenticiteti i veprës kur organizatorët e Festivalit modifikuan veprën dhe më tutje pas reagimit të autores organizatorët vendosin që të mbulojnë tërësisht veprën.
E prerë ka qenë Topalli në gjykimin për një veprim të tillë.
“Ky gjest shkel lirinë artistike të autores dhe është një ndër fyerjet më të mëdha që mund t’i bëhet një artisti. Është e pakapshme për ne se si një Festival aq i njohur e inspirues të mos kuptojë thelbit e autenticitetit dhe lirisë artistike. Emona është vetëm një e re që iu desh të përballet me një marrëzi të tillë. Mirëpo, ajo që është ende më shqetësuese është mesazhi që një gjest i tillë përçon te të gjithë të rinjtë tjerë që aspirojnë pjesëmarrjen në këtë festival”, ka thënë Topalli.
Organizatorët e “Mural Fest Tirana” e kanë nënvizuar si veçanti të këtij edicioni pjesëmarrjen e madhe të artistëve dhe veprat kushtuar rinisë.