Musliu: Nga 48 aktakuza, vetëm një ka përfunduar me burgim efektiv dhe ajo është kthyer në rigjykim

Betim Musliu thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të pritet si dhuratë nga Bashkimi Evropian, por duhet të fitohet.

Musliu, që vjen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha në “Deskun” e KOHËS se liberalizimi nesër nuk do të përmirësojë sundimin e ligjit e as nuk do të dënojë haraçxhinjtë.

“Sundimi i ligjit dhe haraçxhinjtë nuk mund të largohen nëse lëvizim lirshëm në Evropë, mund të largohen vetëm kur të kemi një sistem të pavarur. Që ai rast që denoncohet do të trajtohet ashtu siç duhet, jo që politikani i fuqishëm ose një biznesmen që ka biznesin të mbështetur në aktivitete kriminale të jetë më i fuqishëm sesa sistemi i drejtësisë”, ka thënë Musliu.

Ai tregoi se prej vitit 2014, kur është themeluar mekanizimi për shenjëstrimin e rasteve të krimeve rëndë, deri sot janë 60.

“Qëllimi kryesor i rasteve të krimeve të renda, është që të ketë potencial për të konfiskuar pasuri që është fituar përmes aktiviteteve kriminale dhe që shkon nga krimi i organizuar. E çka bëjnë tash këta? E konsiderojnë rast të rëndë një falsifikim të një avokati publik të Komunës së Gjakovës. Dy herë e kanë akuzuar për dy raste që janë totalisht të thjeshta dhe që nuk janë krime të rënda”, është shprehur Musliu.