Mustafa i kundërgjigjet ish-ambasadorit Bosch: Le të dokumentojë se Qeveria ime i ka thënë jo projektit për rindërtimin e “Kosova A”

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur ish-ambasadorit të Holandës në Kosovë Robert Bosch, i cili e quajti të pavërtetë deklaratën e Mustafës se përfaqësuesit e kompanisë “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Mustafa tha se nuk është me rëndësi çfarë ka thënë ish-ambasadori Bosch.

Ai ka shtuar se me rëndësi është që ai të dokumentojë se Qeveria e tij i ka thënë jo zyrtarisht këtij projekti.

“Nuk është me rëndësi se çfarë deklaron ish-ambasadori, por me rëndësi është se çfarë ai dokumenton. Le të dokumentojë se Qeveria ime i ka thënë jo zyrtarisht këtij projekti. Le të dokumentojë se Bilfinger ia ka dorëzuar Qeverisë dokumentacionin që ia kemi kërkuar në Berlin”, tha Mustafa për Reporteri.net.

Ai potencoi se nëse ish-ambasadori holandez ka pritur se dikush në Kosovë mund të investojë me letër të bardhë, e ka gabim, sepse siç thotë ai, ligjet e Kosovës nuk lejojnë një formë të tillë.

Në një postim në Facebook, Bosch ka shkruar se nuk është e vërtetë se përfaqësuesit e kompanisë “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”, përcjell Reporteri.net.

Ai ka shtuar për pak para, energjia elektrike mund të ishte siguruar nga viti 2017/2018.

“Fatkeqësisht jo e vërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada holandeze dhe gjermane bëmë gjithçka për të bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një shans i humbur pasi për relativisht pak para, energjia elektrike mund të ishte siguruar që nga viti 2017/18”, ka shkruar Bosch në Facebook.

Dje, ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se e gjitha çka kanë ofruar “Bilfinger” kanë qenë 15-20 faqe PoWerPoint.

Ai ka thënë se kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë me kompaninë “Bilfinger”, por, sipas Mustafës kompania ka qenë e painteresuar.

“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PoëerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend. Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, është shprehur tutje Mustafa.