Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se nga muaji mars çmimi i derivateve do të bjerë dukshëm. Kjo pasi çmimi i derivateve ka rënë edhe në tregjet ndërkombëtare.
Berjani në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se aktualisht një litër naftë sot është 1 euro e 25 centë, ndërsa litra e benzinës është 1 euro e 30 centë.
“Normalizimi i tregut sipas organizatës prodhuese OPEC pritet të jetë ka fundi i muajit mars. Ka rënie të çmimit në Berzë dhe tregjet ndërkombëtare dhe kjo po reflekton edhe në Kosovë. Për dy muaj kemi rënie të çmimit për 55 cent”, ka thënë Berjani për Insajderin.
Ai shtoi se çmimi i derivateve në Kosovë është më lirë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
“Çmimet e derivateve kanë rënë dukshëm në tregun kosovar. Sot në Shqipëri një litër dizel është 1.75 cent ndërsa një litër benzinë është 1.78 cent kurse në Serbi një litër dizel është 1.65 cent kurse benzina 1.68 cent”, tha Berjani për Insajderin.
Tutje, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve ka thënë se tashmë asnjë market nuk ka arsye që të mos i ulë çmimet, pasi nafta ka shënuar rënie.
“Marketet dhe bizneset nuk kanë arsye që të mos e ulin çmimin pasi nafta tashmë ka rënë. Secili duhet te reflektojë dhe të mos abuzojë me shportën e qytetarit”, përfundoi ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e fundit sa i përket lëvizjeve të çmimeve të artikujve bazë brenda javës.
Ndër artikujt bazik, vetëm vaji ushqimor ka shënuar një rënie të lehtë në çmim, shkruan Insajderi.
Vaji ushqimor ka shënuar rënie për 9 centë. Nga 2.03 euro sa ishte me 18 shkurt tani ka rënë në 1.93 euro.
Ndërsa, çmimet e artikujve tjerë bazë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim fare.
Muaj më parë në valën e rritjes së çmimeve, çmimi i vajit ushqimor në Kosovë kishe arritur deri gati në 4 euro.