Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, është dashur që të zgjedhë në mes të pozitës së drejtorit të IKSHPK-së apo të kryetarit të shoqatës së mjekëve të Kosovës ose dy organizatave të tjera joqeveritare në të cilat kishte funksione.
Ramadani mbante pozitat e kryetarit të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave Mjekësore të Kosovës, të dy organizata joqeveritare që merren me aktivitete në fushën e shëndetësisë. Kjo gjë përbënte shkelje të ligjit.
Pas këtij konstatimi të Agjencisë Kundër-Korrupsion, Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tij në dy organizatat joqeveritare. Duke mbajtur kështu pozitën e kreut të IKSHPK-së.
“Zyrtari i lartë z. Ramadani, është pajtuar me konstatimet e Agjencisë Kundër-Korrupsionit dhe ka premtuar se do të ndërmarrë veprime në mënyrë që ta shmang gjendjen e konfliktit të interesit. Me veprimet e ndërmarra nga z. Ramadani është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, ka bërë të ditur AKK-ja.
Sipas AKK-së, drejtori i IKSHPK-së ndodhej në konflikt interesi prej disa muajsh pasi i kishte mbajtur pozitat e kryetarit të dy OJQ-ve në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.