Ndalja e pagave për nëpunësit komunalë, Hekuran Murati shkeli rëndë autonominë e komunave

Vendimi i Ministrisë së Financave për t’i ndalur pagat e nëpunësve të komunave që kanë hyrë në grevë po vlerësohet si kundërkushtetues.

Njohësit e qeverisjes lokale kanë bërë me dije se ndalja e këtyre pagave është shkelje e autonomisë se komunave, e cila garantohet me Ligjin për Vetëqeverisjes Lokale, Kushtetutën e Kosovës dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Bensik Tahiri, i cili është edhe ekspert i qeverisjes lokale, ka thënë se veprimet e ministrive ndaj komunave përbëjnë shkelje të rendë.

“’Urdhëri’ për Komunat nga Ministria e Financave dhe Arsimit, lidhur me listat e punëtorëve që janë në grevë, është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve. Autonomia e komunave është e përcaktuar me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Kushtetutë e Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (Neni 17), ku janë përcaktuar kompetencat vetanake të komunave. Ngjashëm, me këtë Ministria e Arsimit, ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese (Faqe 46-49), për rastin e shkollave në Komunën e Kamenicës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, qeveria është duke e bërë një veprim të paparë deri me tani. “Në vend të komunikimit, konsultimit dhe bashkëpunimit mes dy niveleve të qeverisjes, shkresat në formë ‘urdhërash’, e konfliktet ndër-institucionale ndërtojnë praktika të rrezikshme. Porosia ime për qeverinë është e thjeshtë: nuk jeni në tokë të bukës, nuk po e kuptoni se është e domosdoshme, që të kthehet dialogu mes partnerëve social, e që kjo formë e presionit të mos shtrihet edhe tek mekanizmat tjerë”, ka shkruar ai.

Edhe ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se veprimi i ministrit të Fianancave, Hekuran Murati, është kundërkushtetues.

“Ndalja e pagave është Anti-kushtetuese. Qeveria nuk ka të drejtë t’i prekë pagat e nëpunësve të komunave. Në të kundërtën bën shkelje të të drejtave kushtetuese, tejkalim të kompetencave dhe cenim të përgjegjëisë komunale që përbën vepër penale. Kah do që e sheh, grevistët mund ta sfidojnë dhe lehtë ta fitojnë betejën kundër një veprimi të tillë me qëllim të shtypjes së grevës së drejtë. Ministri sot në konferencë u mundua t’i frikësojë dhe detyrojë mësimdhënësit dhe komunat që grevistët të tërhiqen, respektivisht komunat t’i largojnë nga lista e pagave. Mësimdhënësit as komunat s’duhet të bien pre e këtij shantazhi të ulët”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”.

Në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës. Në këtë mënyrë, Kushtetuesja ka konstatuar se MASHTI-i ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga kryetari i atëhershëm e komunës, Qendron Kastrati.

“Ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale tregon se në bazë të kompetencave vetanake komunat ofrojnë arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trainimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit.
Kompetencat vetanake nënkuptojnë kompetencat që u jepen komunave me kushtetutë apo me ligj për të cilat ato janë plotësisht përgjegjëse për sa i përket interesit lokal, apo në përputhje me ligjin.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dje ka treguar se për shkak ë grevës ka bërë ekzekutimin e pjesshëm të pagave. Në një konferencë për medie, ai ka tregua se nuk është bërë ekzekutimi i pagave për mësuesit dhe disa kategori tjera. Më pas kanë reagua edhe shërbyesin civile nëpër komuna të Kosovës, të cilën kanë treguar se as atyre nuk u kanë ndal pagat.