Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi se është bërë gabim që çështja e personave të zhdukur nuk është konsideruar dhe nuk është trajtuar si e drejtë elementare e njeriut dhe çështje humanitare por si çështje politike, prandaj politika ka qenë pengesë e ecjes përpara dhe të suksesshme të këtij procesi.
KMDLNJ në një komunikatë për media theksoi problemet e identifikuara që nga viti 1990 – 2019 për mos-zbardhjen e fatit për personat e zhdukur si: mungesa e vullnetit të faktorit ndërkombëtar për zbardhje të fatit të personave të zhdukur, politizimi i skajshëm i çështjes; mungesa e parimit apo zbatimi i standardeve të dyfishta të organizatave ndërkombëtare; mungesa e një baze e të dhënave etj.
KMDLNj thekson se ndërkombëtarët, përkatësisht Hoze Pablo Barajabar ka bërë eksperimente me mbetjet mortore sikur që ka marrë me vete, pa lejen e autoriteteve kosovare një sasi mostrash duk e dëmtuar rënd procesin e identifikimit të personave të zhdukur.
Lexoni të plotë komunikatën e KMDLNJ-së:
Që nga përfundimi i luftës në hapësirat e ish – Jugosllavisë llogaritet të jenë afërsisht 12.000 persona të cilësuar si të zhdukur ndërsa në Kosovë janë ende 1,653 ( 84% burra dhe 16% gra ) të të gjitha përkatësive etnike e që janë në listën e të zhdukurve. Në ndërkohë kemi disa nisma lokale dhe rajonale që bënin përpjekje të kontribuonin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Këto nisma kanë treguar rezultate të pjesërishme.
Ishte një nismë e quajtur REKOM ( Serbia, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina ) që në fillimin e saj e përjashtonte Kosovën prandaj KMDLNj e pati kundërshtuar këtë nismë sikur që nuk e përkrah as sot. Cilat ishin arsyet që çështja e personave të zhdukur ngeci në këto 20 vjetët e pasluftës në Kosovë sipas KMDLNj –së, ndonëse sipas statistikave të luftërave të mëparshme, që nga Lufta e Parë Botërore , një përqindje , 20 – 30 %, të personave të zhdukur kanë mbetur të pandriçuara e që, me gjasë do të ndodhë edhe në Kosovë kështu.
Problemet e identifikuara që nga viti 1990 – 2019 për mos-zbardhjen e fatit për personat e zhdukur:
Mungesa e vullnetit të faktorit ndërkombëtar për zbardhje të fatit të personave të zhdukur. Faktori ndërkombëtar ka qenë vendim-marrës në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri më tani dhe ka pasur mundësi por edhe detyrim të kërkojë informata nga palët ndërluftuese që të japin informata për fatin e personave të zhdukur por që nuk e kanë bërë këtë apo nuk e kanë bërë në masë të duhur për shkak të projekteve dhe proceseve politike. Fatin e personave të zhdukur e kanë sakrifikuar apo e kanë vënë në interes të bisedimeve me Serbinë duke mos treguar gatishmëri të bëhet presion te dy palët ndërluftues që objektivisht kanë përgjegjësi për zhdukjen e civilëve të paarmatosur apo të ushtarëve dhe policëve të zënë rob e që mbrohen nga e Drejta Humanitare dhe Ligjet e Luftës.
Politizimi i skajshëm i çështjes së personave të zhdukur. Është bërë gabim që çështja e personave të zhdukur nuk është konsideruar dhe nuk është trajtuar si e drejtë elementare e njeriut dhe çështje humanitare por si çështje politike prandaj politika ka qenë pengesë e ecjes përpara dhe të suksesshme të këtij procesi.
Mungesa e parimit apo zbatimi i standardeve të dyfishta të organizatave ndërkombëtare : Fitohet një përshtypje se organizatat ndërkombëtare e që kanë trajtuar këtë çështje më shumë kanë qenë të përqendruara në zbardhjen ( në emër të diskriminimit pozitiv !!! ) e rasteve të personave të zhdukur të viktimave joshqiptare se sa që e kanë trajtuar këtë çështje si e drejtë universale. Me një fjalë , kanë zbatuar standardet e dyfishta të trajtimit të kësaj çështjeje duke u instrumentalizuar nga politika ndërkombëtare. Pritjet se këto organizata do të kontribuojnë më shumë kanë qenë shumë të mëdha prandaj edhe zhgënjimi ka qenë i madh.
Mungesa e një baze e të dhënave: Ka munguar një bazë e të dhënave për personat e zhdukur apo ka pasur publikime, sidomos nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, me të dhëna të pasakta, stër-përsëritja e shumë emrave disa herë duke krijuar një listë të pasaktë. Ka munguar përditësimi i këtyre listave.
Trajtimi i kësaj çështjeje sipas parimit etnik: Deri vonë kanë qenë lista të ndara me persona të zhdukur të përkatësisë shqiptare dhe lista me të zhdukur të përkatësisë serbe, rome, boshnjake, turke, egjiptase, ashkalinjve, gorane, etj.
Mungesa e bashkëpunimit të organizatave që merren me këtë çështje: Fillimisht ka munguar krejtësisht bashkëpunimi i organizatave që trajtojnë çështjen e të zhdukurve të nacionaliteteve të ndryshme sikur që ka munguar edhe bashkëpunimi i duhur edhe i organizatave shqiptare që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur . Tash është një situatë më e mirë por ende nuk e kemi koordinimin e duhur dhe të pakushtëzuar nga politika midis këtyre organizatave ndonëse e kanë interesin e përbashkët, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, bindjeve politike apo statusit shoqërorë!
Paragjykimi i fajësisë apo pafajësisë: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur në jo pak raste është shndërruar në luftë politike duke i cilësuar të zhdukurit tuaj në viktima kurse për viktimat e nacioanliteteve tjera ka munguar ndjenja e empatisë. Pala kundërshtare është akuzuar si palë kriminale sepse, përveçse ka vrarë civilë të pafajshëm, ka zhdukur një numër të madh të tyre për shkak të përkatësisë kombëtare. Ndërkaq, deri vonë viktimat apo të zhdukurit që kanë të njëjtën përkatësi etnike me ata që kanë ushtruar dhunë në Kosovë, deri në gjenocid, janë relativizuar duke u futur në të njëjtin rrafsh me dhunuesit pavarësisht rrethanave ku janë viktimizuar apo zhdukur .
Zbehja e solidaritetit shoqërorë në përkrahje të familjarëve dhe organizatave që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur. Pas përfundimit të luftës ka qenë i theksuar një solidarizim i madh qytetar me familjarët që kanë persona të zhdukur përmes organizimit të protestave, mitingjeve, tryezave të rrumbullakëta, konferencave i cili, me kalimin e kohës ka filluar të zbehet duke ua lënë këtë barrë të angazhimit vetëm familjarëve të cilat janë organizuar në shoqata apo organizata joqeveritare. Zbehja apo ulja e solidarizimit të shoqërisë me familjarët e personave të zhdukur ka shkaktuar uljen e interesimit për këtë çështje prandaj ka munguar edhe presioni i domosdoshëm dhe i nevojshëm që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe në përputhje me peshën që e ka. Çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur e ka relativizuar edhe ndërhyrja e politikës apo politizimi i protestave nga politika. Sa e kanë dëmtuar procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur politikanët ndërkombëtar, po aq e kanë dëmtuar edhe politikanët kosovarë.
Mungesa i një institucioni që do ta bënte identifikimin në bazë të ADN-së. Identifikimi i gabuar, varrimi pa u bërë fare identifikimi përmes ADN-së, stër-përsëritja e intervistimeve të familjarëve , mungesa e një instituti që do ta bënte identifikimin pa pasur nevojë të dërgohen mostrat jashtë Kosovës ka vonuar e në shumë raste edhe ka pamundësuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ndërkombëtarët, përkatësisht Hoze Pablo Barajabar ka bërë eksperimente me mbetjet mortore sikur që ka marrë me vete, pa lejen e autoriteteve kosovare një sasi mostrash duk e dëmtuar rënd procesin e identifikimit të personave të zhdukur. Edhe sot janë shumë mbetje mortore që nuk janë identifikuar e që janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore e që presin të identifikohen përmes ADN-së.
Mungesa e gatishmërisë të shteteve fqinje të bashkëpunojnë me Kosovën për këtë çështje. Shtetet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë po e pamundësojnë dhe po e pengojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur aq më parë që për këtë nuk po sanksionohen me asgjë. Mungesa e presionit të opinionit në këto shtete i inkurajon politikanët që kanë përgjegjësi 100% për zhdukje të personave të mos jenë bashkëpunues apo të mos ofrojnë të dhëna për fatin e këtyre personave . Politika aktuale në shtetet e ish Jugosllavisë ka informata ta sakta, edhe për fatin e personave të zhdukur sikur edhe për lokacionet ku janë varrosur ata që janë ekzekutuar, pa një proces të rregullt gjyqësorë.
Çka duhet të bëjë Qeveria e ardhshme në Kosovë për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur?
Procesi i trajtimit të çështjes së zbardhjes së fatit të personave të zhdukur duhet të depolitizohet dhe të zhvendoset nga rrafshi politik në atë të të drejtave të njeriut. Në këtë kontekst duhet të përkrahen dhe forcohen shoqatat që merren me çështjen e personave të zhdukur të cilët duhet ta kenë fjalën kryesore në këto bisedime. Përkrahja e Qeverisë duhet të jetë e natyrës materiale (sigurimi i fondeve për aktivitete) dhe profesionale (sigurimi i këshilltarëve apo ekspertëve të nevojshëm).
Bisedimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur duhet të jenë të pakushtëzuara, as të pranohen kushtëzimet e as të mos vendosen kushte! Reciprociteti në këtë fushë është masë kushtetuese apo masë politike, ndërsa parimi i universalitetit të drejtave të njeriut nuk e pranon reciprocitetin në fushën e të drejtave të njeriut. Kushtëzimi i bisedimeve nga cilado palë nënkupton se për qëllim ka bllokimin apo pengimin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje të sigurojë informata për familjarët që kanë persona të zhdukur, si e drejtë elementare e njeriut sikur edhe të drejtën për drejtësi. Në kuadër të Drejtësisë Transicionale për të cilën qeveritë e mëparshme janë angazhuar në kuadër të mundësive dhe detyrimeve, Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të angazhohet të përmbushen dy shtylla ( nga gjithsej katër ) të Drejtësisë Transicionale; E drejta për t’u Informuar dhe e Drejta për Drejtësi. Në kontekst të kësaj duhet të shpejtohet procesi i formimit të Komisionit për të Vërtetën.
Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të sigurojë gjithë-përfshirje në këtë proces duke mos bërë asnjë dallim aq po diskriminim në baza etnike, racore, fetare, moshore. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të sigurojë se të gjithë ata që kanë përgjegjësi për zhdukjen e personave do të nxirren para organeve të drejtësisë pa bërë asnjë dallim dhe të sigurojë se viktimat do të trajtohen si viktima kurse ata që kanë përgjegjësi do të trajtohen në bazë të përgjegjësisë që e kanë pasur apo që e kanë.
Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të kërkojë informata dhe dosje nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kanë trajtuar këtë çështje, ambasadave që kanë qenë të involvuara në këto zhvillime , Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, KFOR-it, UNHCR –së, OSBE –së dhe shteteve fqinje në mënyrë që ta kemi një pasqyrë më të qartë dhe të centralizuar në të kundërtën këto të dhëna do të mbesin të fragmentarizuar .
Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë përkrahje më të madhe për Institutin e Mjekësisë Ligjore në mënyrë që të mos ketë nevojë të bëhet identifikimi i kushtueshëm përmes ADN –së në shtetet tjera e që vonohen mjaft.
Qeveria e Kosovës duhet të thërras qytetarët që kanë anëtarë në Listën e Personave të Zhdukur të japin mostrat apo kampionët për identifikim me metodën e ADN-së në mënyrë që të bëhet identifikimi i mbetjeve mortore që një kohë të gjatë qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Qeveria duhet të sigurojë përkrahje profesionale dhe fonde materiale për këtë .
Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të kujdeset për mirëqenien e familjeve që kanë persona të zhdukur sepse shuma e caktuar është e pamjaftueshme dhe në s’përputhje të madhe me shpenzimet, qoftë edhe të domosdoshme për një familje .
Qeveria e Kosovës duhet ta rikthejë ndjenjën e solidaritetit me familjarët që kanë anëtarë të zhdukur duke u solidarizuar me to. KMDLNj propozon që në të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe fakultete, në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, ora e parë t’iu kushtohet pikërisht personave të zhdukur. Kjo do të ishte përgjegjësi e Ministrisë për Arsim, Shkencë dhe Teknologji.