Ndërron jetë heroi i luftës që shkundi Parlamentin grek me fjalimin për shqiptarët

Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare, ish-deputeti grek Manolis Glezos. Ish-deputeti ka humbur jetën mesditën e sotme si pasojë e një ataku kardiak.

Ish deputeti arvanitas njihet edhe për qendrimet e tij liberale ndaj emigrantëve dhe fqinjëve të Greqisë, ndërkohë që pesë vite më parë mbajti një fjalim të fortë në Parlamentin e Greqisë duke thënë se të paktën 13 deputetë kishin prejardhje shqiptare duke qenë arvanitas.

Në fjalën e tij, Glezos pyeti kreun e Parlamentit grek nëse ishte i sigurt që ishte grek pasi mbiemri i tij ishte arvanitas.

“Ne jemi fqinj (me shqiptarët sh.r), gruan mund ta largosh nga shtëpia, edhe djalin mund ta largosh, por fqinjin jo”, u shpreh ai ndër të tjera në atë fjalim që mbetet një ndër më të fortit sa i përket shqiptarëve në Parlamentin grek.