Në brendësi të “Amerigo Vespucci” – Anija me vela hap dyert për vizitorët në portin e Durrësit

“Amerigo Vespucci” Veliera e marines italiane, e ankoruar në portin e Durrësit ka hapur dyert për vizitorët.

Në vizitën e parë të saj në vendin tonë, anija me vela në moshë 100 vjeçare, ka ngjallur interes të lartë për tu parë nga afër nga të vegjël dhe të mëdhenj, shtetas shqiptarë apo të huaj.

“Amerigo Vespucci” Veliera e marinës italiane, u vizitua edhe nga nxënës të ardhur nga një shkollë e Devollit.

“Meqenëse nxënësit studiojnë gjuhën italiane, ishte një interes i madh të vinim dhe ta shikonin anijen me vela, edhe për faktin që është pjesë e kulturës italiane”, shprehet mësuesja.

“Anija na pëlqeu shumë”, shprehen fëmijët.

Ndonëse vizitorët nuk kanë pasur mundësi që të njihen me detaje me historinë e anijes, ata thonë se e kanë shijuar eksperiencën duke parë mjediset e brendshme të saj dhe kuvertën.

“Është e rrallë, kudo që të shkosh nuk e gjen dot. Duhet me e shfrytëzuar rastin të vish për ta parë”, shprehet qytetari.

“Shumë bukur ishte të vije ta shihje”, shprehet qytetarja.

“Ishte e veçantë pasi është e gjitha prej druri”, shprehet një tjetër.

“Çdo shtetas Italian ndihet krenar për shkak të historisë që dëshmon kjo anije”, thekson një nga turistët e vendit fqinj, i cili në këto ditë ndodhet në Shqipëri.

“E vizitova me shumë kënaqësi këtë anije, është anije historike dhe po bën xhiron e botës, duke ndaluar për disa ditë këtu në Durrës. U kënaqa me të vërtetë, është një anije mbresëlënëse. Është anije e vjetër, por e rikonstruktuar. Nuk e di saktësisht nëse është hera e dytë apo e tretë që vjen këtu, por sa mësova që do vinte në Durrës, erdha menjëherë për ta parë”, tha turisti italian.

“Amerigo Vespucci” është një anije trajnuese që ka shërbyer për shumë vite për edukimin e marinës italiane. E ndërtuar në vitin 1931, kjo anije është përshkruar shpesh si “më e bukura në botë” dhe është simbol i kulturës detare italiane. Me vela të jashtëzakonshme dhe një pamje që të kthen pas në kohë, “Amerigo Vespucci” është më shumë se një anije, është një ambasadore e traditës dhe profesionalizmit detar italian.