Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i ka reaguar ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, i cili mbrëmë në Pressing të T7 tha se ministrin Sveçla e kanë gjuajtur me kallash derisa ai ka qenë në Ujman me barkë.
Sveçla e ka mohuar këtë deklaratë, duke thënë se nuk është sulmuar asnjëherë as me kallash dhe as me ndonjë metodë tjetër.
“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë, por ka qenë edhe shumë produktive”.
Sveçla tha se po i reagon kësaj “gënjeshtre” për shkak të pozitës që Ramadani ka pasë në AKI.
“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore. Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikësojnë as nuk na zmbrapsin. Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”, ka shkruar Sveçla.
Ramadani mbrëmë tha se e kanë “të konfirmuar” se në fillim të këtij muaji Sveçla është sulmuar.
“Ne e kemi dhe është e konfirmuar, nëse jo le të del ministri i Brendshëm dhe ta demantojë. Në fillim të korrikut e kanë gjujtë ne Ujman, e kanë gjujtë me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha ai në “Pressing”.