Në mes të luftës, Putin fillon të arrestojë edhe këshilltarët e tij

Bota akademike ruse u trondit dje nga arrestimi i atij që cilësohej si një nga ekonomistët më të njohur të vendit, ndër të tjera edhe këshilltar i presidentit Vladimir Putin.

Bëhet fjalë për Vladimir Mau, anëtar bordi i Gazprom dhe kreu i Akademisë Presidenciale të Ekonomisë dhe Administratës Publike, instituti që ka formuar pjesën më të mirë të drejtuesve pas rënies formale të komunizmit.

Pikërisht Mau ishte një nga bashkëpunëtorit e ish-kryeministrit ekonomist Yegor Gaidar, që aplikoi të ashtuquajturën “terapia e shokut”, që për disa varfëroi shtresat e mesme, por për të tjerë shpëtoi vendin nga kolapsi në vitet ’90.

Mau akuzohet për mashtrim dhe përvetësim fondesh nga Instituti që drejton, të rreth 4000 mijë dollarëve.

Arrestimi i bujshëm vjen si pasojë e një hetimi antikorrupsion që ka vënë në pranga edhe një ish-zëvendësministre të Arsimit, Marina Rakova, dhe personalitete të ndryshme akademike.

Sipas kritikëve, në fakt akuzat për korrupsion janë një fasadë ku Putin fsheh vullnetin e tij për të izoluar pjesën liberale të akademisë ruse, që mund të kundërshtojë hapur gjendjen ku ndodhet vendi pas vendimit të pushtimit të Ukrainës, që praktikisht ka izoluar Moskën zyrtare nga tregjet perëndimore.