“Histeria e Shtëpisë së Bardhë i thotë të gjitha. Anglo-amerikanët duan luftë”. Deklarata e fortë vjen nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar deklaratat e këshilltarit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, i cili foli për mundësinë e një sulmi të afërt të Rusisë ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, në pritje të telefonatës Biden-Putin, Moska ka filluar të reduktojë stafin e saj diplomatik në Kiev. Po kështu edhe punonjësit e ambasadës amerikane. Ndërsa Ukraina u ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun.
“Duke pasur frikë nga provokimet e mundshme nga regjimi i Kievit apo nga vendet e treta, ne kemi vendosur të optimizojmë stafin diplomatik rus të pranishëm në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme ruse.
Punonjësit amerikanë të Ambasadës së SHBA në Kiev, detyrat e të cilëve nuk lidhen me “aktivitetet emergjente” duhet të largohen nga Ukraina në “kushtet e kërcënimit të vazhdueshëm të veprimit të luftës”. Departamenti i Shtetit ka njoftuar se shërbimet konsullore do të pezullohen që nga e diela.
Qeveria e Ukrainës u ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun. “Për momentin është thelbësore të qëndrojmë të qetë, të bashkuar brenda vendit, për të shmangur veprimet destabilizuese që krijojnë panik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Marina ruse nisi stërvitjet në Detin e Zi për mbrojtjen e bregdetit dhe bazave detare të Gadishullit të Krimesë gjatë stërvitjeve. Kjo u raportua nga agjencia e lajmeve Tass, duke cituar një shënim nga zyra e shtypit e marinës.
“Anijet dhe trupat e mbrojtjes bregdetare të Flotës së Detit të Zi u nisën nga Sevastopol dhe Novorossiysk për kampe stërvitore luftarake gjatë fazës fillestare të stërvitjeve nën komandën e komandantit të flotës së Detit të Zi, Admiral Igor Osipov”.