Në Serbi, disa nga opinionet më të ashpra për Aleksandar Vuçiqin, presidentin e vendit, vijnë nga ata që e kanë njohur më gjatë. “Ai është Al Capone që takon Vito Corleone”, tha Serdan Milivojeviq, një deputet i Partisë Demokratike të opozitës, i cili e njeh Vuçiqin për 30 vjet.
Vuçiq nuk është patriot, as nacionalist dhe as demokrat, ai është i interesuar vetëm për pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar”.
Megjithatë, ndërsa Vuçiq akuzohet nga kritikët për vrasjen e demokracisë serbe dhe bashkëpunimin me kriminelët, ai shihet gjithashtu – shpesh nga të njëjtët skeptikë – si e vetmja shpresë për stabilitet në Ballkan.
Diplomatët amerikanë dhe europianë, të cilët e shohin atë si figurën e vetme që mund t’i bindë serbët të bashkëjetojnë me ish-krahinën e Kosovës, e duruan atë duke fyer Perëndimin, duke nxitur shovinizmin serb dhe duke u rehatuar me Presidentin Putin.
Por shumë pyesin: a do të blinit një marrëveshje paqeje në Ballkan nga ky njeri?
Vuçiq gjithmonë ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës, duke këmbëngulur se ajo mbetet zemra e Serbisë dhe ka premtuar se do të mbrojë serbët etnikë që jetojnë atje. Tensionet e zhurmshme shpërthyen këtë vit pas zgjedhjeve komunale në Kosovë, disa prej të cilave u bojkotuan nga serbët etnikë. Kur Kosova vendosi kryebashkiakë shqiptarë etnikë, shpërthyen telashet dhe paqeruajtësit e OKB-së u vendosën [në atë zonë].
Mosbesimi i ndërsjellë i dy fqinjëve ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm një vështirësi lokale në Ballkan. Serbia është mbështetur prej kohësh në aleatin e saj në Moskë dhe pavarësia e Kosovës është përkrahur nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke i bërë tensionet një tjetër shprehje të një konflikti ndërmjetësues midis Rusisë dhe Perëndimit.
Alicia Kearns, kryetarja e komitetit britanik të punëve të jashtme, shprehu dyshimet e saj për Vuçiqin në një letër të hapur muajin e kaluar ku e nënshkroi mes 56 parlamentarëve nga Europa dhe SHBA. Megjithatë, ai është njeriu që Perëndimi dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e cila u nda nga Beogradi në 1999 pas masakrave serbe që çuan në bombardimet e NATO-s.
“Dëgjoni gjatë gjithë kohës se Vuçiq është opsioni i vetëm”, tha Kearns.
“Ne themi, ‘Lëreni të bëjë kërcimin e tij, le të shfrytëzojë tensionet etnike, fshehurazi ai është me ne’ – por ai është irredentist [që kërkon kthimin e territorit të humbur].”
Ajo vuri në dukje refuzimin e Vuçiqit në mars për të nënshkruar një marrëveshje për Kosovën të ndërmjetësuar nga SHBA dhe BE, kur ai edhe bëri shaka: “Kam dhimbje torturuese në dorën time të djathtë. . . ajo dhimbje pritet të vazhdojë për katër vjet”.
Kearns tha se ajo “nuk kishte dëshirë të ndëshkonte Serbinë”, por kishte një problem me SHBA-në dhe BE-në që kritikonin vendimin e Kosovës për të mbajtur zgjedhjet në prill në komunat me shumicë serbe.
“Kosova është rrahur me shkop, por Serbia nënshkroi një marrëveshje sigurie me Moskën në shtator, ka dërguar dy ministra në Rusi në gjashtë muajt e fundit dhe nuk ka sanksionuar Rusinë, Iranin apo Talibanët”, tha Kearns.
“Pse s’po e mbani përgjegjëse edhe Serbinë?”.
Në stilin tipik vitriolik (ironik e keqdashës), Vuçiq, 53 vjeç, ia ktheu kundër, duke i thënë Kearns: “Ne po bëjmë një hetim kundër jush për të parë se kush po ju financon”.
Kearns ia ktheu se “ai e sheh të përshtatshme të kërcënojë parlamentarët”, duke shtuar se një rritje e kërcënimeve anonime që i janë bërë asaj që nga deklarata e Vuçiqit kishte detyruar forcimin e detajeve të saj të sigurisë.
Shpërthimi i Vuçiqit nuk ishte surprizë për Borko Stefanoviçin, një deputet i Partisë opozitare të Serbisë për Liri dhe Drejtësi, përpjekja e të cilit për ta detyruar Serbinë të sanksiononte Rusinë u rrëzua nga qeveria.
“Anëtarët e opozitës mallkohen dhe ofendohen rregullisht në parlament dhe përshkruhen si armiq të shtetit në kanalet televizive miqësore me qeverinë, të financuara nga reklamat shtetërore”, tha Stefanoviq, i cili u rrah pa ndjenja me një shufër metalike në një tubim të opozitës në vitin 2018 nga disa burra që kishin lidhje me partinë e Vuçiqit.
“Midis buletineve të lajmeve të televizionit pro-Vuçiq ka shfaqje reale me tregtarë droge dhe vrasës që kthehen në heronj, të ndjekur nga legjione shikuesish në një vend që shikon më shumë TV se kudo tjetër në Europë pas Rumanisë”, tha ai.
Jo të gjithë serbët janë të lumtur – mijëra dolën në rrugë këtë pranverë për të protestuar kundër dy të shtënave masive, të cilat ata i lidhën me dhunën e jetës publike.
“Klasat e mesme jetonin në një flluskë, duke pretenduar se ‘politika nuk më prek mua’. Ajo flluskë shpërtheu me të shtënat, kur ata kuptuan se ishte e lidhur me dhunën e nxitur nga qeveria,” tha Stefanoviq.
Protestat kanë rezultuar sfida më e madhe për Vuçiqin, i cili filloi politikën në vitet 1990 si ministër nën Slobodan Millosheviqin, lideri serb i gjykuar më vonë për krime lufte pas luftërave ballkanike që shpërbënë Jugosllavinë. Millosheviq vdiq në qelinë e tij në vitin 2006 ndërsa ishte në gjyq në Hagë.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2014, i konvertuari pro-europian Vuçiq është kthyer sërish në reklamimin e nacionalizmit serb, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president.
Stefanoviq tha se Partia Progresive Serbe në pushtet e Vuçiqit e mban pushtetin duke kërcënuar stafin e kompanive shtetërore me shkarkim nëse nuk e votojnë atë dhe duke i punësuar anëtarët që mbajnë karta.
“Njerëzit i bashkohen partisë duke shpresuar për një punë, prandaj ajo ka 700,000 anëtarë”, tha ai.
Vuçiq nuk iu përgjigj kërkesës së The Times për intervistë.
Qeveria e tij është akuzuar gjithashtu për rekrutimin e huliganëve të dhunshëm të futbollit për të rrahur kundërshtarët, diçka që është hetuar nga gazetari investigativ Stevan Dojcinoviq, por një pretendim që Vuçiq e ka mohuar gjithmonë.
“Filloi me përdorimin e huliganëve si grupe paraushtarake gjatë luftës në Ballkan”, tha Dojçinoviç, 38 vjeç, një ish-shkrimtar që ndihmoi në themelimin e Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit të Serbisë.
“Që atëherë, shërbimet sekrete të Serbisë u kanë ofruar mbrojtje kur kanë nevojë për para”.
Në zyrën e tij të ngushtë në Beograd, Dojçinoviq nxjerr një dosje të trashë që përmban kopje të tabloideve pro-Vuçiq, të mbushura me artikuj të turpshëm për gazetarin, për të treguar se si qeveria përdor mediat miqësore kundër armiqve të saj.
“Ndonjëherë jam në faqet e para pesë herë në muaj, i akuzuar se kam punuar për CIA-n, mafien apo inteligjencën franceze dhe kam vizituar klubet S&M”, tha Dojcinovic, 38 vjeç, duke shtuar: “Ata përdorin raporte nga shërbimet e sigurisë, të cilët janë të vjetër, djem shkollash që nuk janë reformuar që nga komunizmi.”
Në një shfaqje të kohëve të fundit padurimi me Vuçiqin, SHBA sanksionoi shefin e tij të spiunazhit Aleksandar Vulin, duke e akuzuar atë për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe armëve.
Departamenti Amerikan i Shtetit pretendoi gjithashtu se Vulin po ndihmonte Rusinë të rriste ndikimin e saj në Ballkan – nuk është befasi për komunitetin e Beogradit të emigrantëve rusë anti-Putin, lëvizjet e të cilëve po kufizohen pasi qeveria serbe i deklaron ata “rreziqe sigurie”.
Pyetja për diplomatët perëndimorë është nëse Vuçiq do të ndjekë librezën ekspansioniste të Putinit dhe do të vazhdojë të hedhë peshën e tij në Ballkan apo nëse mund të mbështetet tek ai për të nënshkruar një marrëveshje për Kosovën.
Kearns sugjeroi se ai nuk ishte shpresa e vetme për Perëndimin, duke vënë në dukje protestat e fundit, të cilat, tha ajo, “sugjerojnë se ka shumë më tepër njerëz të vendosur të kërkojnë stabilitet në Serbi sesa ne [mendonim]”.
Ajo u sfidua nga Sir Ivor Roberts, i cili ishte ambasador britanik në Jugosllavi nga 1994-97.
“Ndërhyrja e Kearns nuk është e dobishme – serbët nuk reagojnë ndaj presionit, ata thjesht gërmojnë”, tha ai. “Vuçiq është shfaqja e vetme në qytet me një distancë të konsiderueshme dhe vetëm një fantazist mund të mendojë se dikush tjetër mund ta zërë vendin e tij”.
Edhe Natasha Kandiq, themeluesja serbe e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila fitoi çmime për hetimin e krimeve serbe të luftës, tha se Perëndimi duhet të qëndrojë me Vuçiqin.
“Çdo ditë ai përsërit pretendimin e tij se Serbia është e rrethuar nga armiq dhe se Europa, veçanërisht Gjermania dhe Britania e Madhe, e mbështesin Kosovën, por thjesht nuk shoh asnjë politikan tjetër serb që ka fuqinë për të negociuar një marrëveshje”.