“N’Elbasanin e bukur, rrethua me flamujt serb që hala pikojnë gjak shqiptari”/ Mllefi i Çun Lajçit për vizitën e Vuçiqit në Shqipëri

Aktori Çun Lajçi po vazhdon t`i komentojë në mënyrë artistike ngjarjet politike në Kosovë e Shqipëri.

Ai nuk la pa i thënë disa fjalë rreth vizitës së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq nq Shqipëri, në kuadër të projektit “Open Ballkan” ku Kosova nuk është e përfshirë.

Lajçi ka thënë se flamujt serb që valonin në Elbasan ende pikojnë gjak shqiptari.

“Ç’tu desht trishtimi n’Kurrizin e Dardanisë e zgjimi nga gjumi me krrokamat e korbave, thashë tue i fshi djersët e ballit. Ç’tu deshtën lajmet e zeza nga Tirana për sy çakarin e gjatë që hante darkë me Jovan zezën, n’Elbasanin e bukur, rrethua me flamujt serb që hala pikojnë gjak shqiptari, e debatet e mjera të njerëzve tru trashë që s’e dallojnë hirrën prej kumshtit!

S’u durova pa zbritë të koshat e plehut, n’tunel t’Kurrizit, aty ku po luhej skena hamletiane e sy çakarit, me bukën e mykun nën sqetull e me britma dhimbjeje, n’andrrën time!”, shkruan Lajçi mes tjerash.

Postimi i plotë:

Ju kujtohem besoj. Po po ju kujtohem, veç kqyrni ku po e mbajë plisin e ku dorën! Atë ditë e sot, krahu muer reumatizëm, prej hekurit që nxehej me trupin tim, e kurrë s’pushoi prej dhimbjeve!

Si mund ta keni harrua kryecullakun, që plisin e mbante nën sqetull e n’plis pulën me zogj?

Bërtiste nji sy çakar, me kokë n’koshin e plehut, për alltinë me plot fyshekë, që s’dihej a ia kishte nxi, apo shpëtua jetën, nji herë e nji kohë, kur çetnikët e Shumadisë i kishin hi n’oborr, me ia përdhunua gruen, e ky ua kishte shkrumua trutë n’shajkaqa!

Tash fliste me vetëvetën tue i numërua kanaqet e shishet e plastikës n’kantat e bërllogut!

Skenë Beketjane, që s’përseritet!

Kishte luejt mendësh, ndoshta, kur kulla kishte marrë flakë me trupat e njomë të tre fëmijëve e t’grues së tij shtatzanë! Kishte luejt mendësh e kishte marrë malin me i tretë dhimbjet e me i lypë mendet e veta e ishte kthye me qajt të varret e fëmijve t’shkrumuem n’kullë!

Hipte mbi kantën e plehut e bërtiste: Ndal Jovan se t’vajton nana, e dorën e nxjerrte prej nën sqetullës, ndoshta si ditën kur iu kishte shkrumua fatziut zemra. Gër-gër-gër bante me gojë, e gishtin e rrudhte, thua se po ia kokërronte plumbat n’ballë Jovanit!

Kaqë shpejtë, s’mund ta keni harrua sy shtremtin, që e nxente patllakën nën sqetullë o Jovan Shumadia, bërtiste tue e mbushë thesin me plastika e kanaqe e tue kafshua bukën e mykun nën sqetull!

A t’kujtohet krye cullaku që s’i besonte barotit n’fyshekë, se druante mos ka marrë lagështi e me trupin e vet e thante!

Isha n’andërr apo n’skenën e nji teatri Shekspirian, nuk di, por nji i çmendun kërkonte rroba e bukë n’koshat e plehut, n’Dardaninë e bardhë, e korbat e zi n’pemë, e përcjellnin me muzikë funembre, krra-krra-krra! Ai nën sqetull e mbante bukën e mykun e koshit të bërllogut i bërtiste: Ndal Jovan se tu nxi nana!

Pse s’e bane edhe nji natë n’tokën helvetitike, i thashë vetës. Dino Bekteshi kishte konak për nji katund e nuk ngushtohej me nji artist!

Ç’tu desht trishtimi n’Kurrizin e Dardanisë e zgjimi nga gjumi me krrokamat e korbave, thashë tue i fshi djersët e ballit. Ç’tu deshtën lajmet e zeza nga Tirana për sy çakarin e gjatë që hante darkë me Jovan zezën, n’Elbasanin e bukur, rrethua me flamujt serb që hala pikojnë gjak shqiptari, e debatet e mjera të njerëzve tru trashë që s’e dallojnë hirrën prej kumshtit!

S’u durova pa zbritë të koshat e plehut, n’tunel t’Kurrizit, aty ku po luhej skena hamletiane e sy çakarit, me bukën e mykun nën sqetull e me britma dhimbjeje, n’andrrën time!

Ah Kosovë, ti kurrë e zezë mos qofsh, si andrrat e mia bërtita, e qentë i zgjova nga gjumi. Ata filluen me leh e unë u futa n’kafe, si Halil Gashi n’Vushtrri, e gishtin e rrudha mbi shkronja!

Dardani,21.12.2021