Bastisja e agjentëve të FBI-së në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago ka trazuar jo vetëm inteligjencën amerikane, por edhe publikun e gjerë që kërkon të dijë më shumë rreth dokumenteve që u sekuestruan nga “kështjella” e ish-Presidentit të SHBA.
Pyetja qendrore që shtrohet pas aksionit të FBI-së javën e kaluar është se: “Çfarë dokumentesh kishte Trump dhe pse qeveria kërkon kaq me ngulm që t’i marrë mbrapsht ato?
Ka edhe pyetje të tjera, sigurisht.
“A i mori materialet sepse mendoi se ishin “cool”, pra një lloj trofeu? Apo ka parë ndonjë avantazh në posedimin e tyre? A ishin dokumentet që lidhen me faljen e Roger Stone nga Trump disi prova kyçe? Ose Çfarë fshihet për Presidentin e Francës në dokumentat që ishin marrë?”, janë disa nga pyetjet e tjera që gazetarja e New York Times, Maggie Haberman ka shtruar teksa ishte e ftuar për të komentuar aksionin e FBI në “New Day” të CNN, të hënën.
Imagjinata bëhet edhe më e egër në mungesë të fakteve, me Trump që tani ka kërkuar që dokumentet t’i kthehen mbrapsht edhe pse është i informuar se letrat presidenciale, sipas ligjit amerikan, nuk janë pronë e tij.
Detaji më tërheqës është se 11 grupe dokumentesh prej atyre që u gjetën kanë qenë të klasifikuara dhe hetimi po ndriçon sistemin e klasifikimit me të cilin qeveria fsheh informacionin nga njerëzit e saj në emër të sigurisë kombëtare të secilit.
Më shumë se 1 milion njerëz posedojnë lejen “Top Secret”
Është në fakt një univers shumë i madh njerëzish me akses në të dhënat Top Secret. Drejtori i Inteligjencës Kombëtare publikon atë që përshkruhet si një raport vjetor, “Përcaktimet e verifikimit të sigurisë”, megjithëse përditësimi më i fundit që u gjet ishte i vitit 2017.
Në të, më shumë se 2.8 milionë njerëz përshkruhen se kanë leje sigurie dhe më shumë se 1.6 milionë kanë akses në informacione Konfidenciale ose Sekrete, ndërsa gati 1.2 milionë përshkruhen se kanë akses në informacionin Top Sekret.
Ka njerëz të tjerë që kanë leje sigurie, por aktualisht nuk kanë akses në informacion dhe këtu përfshihen punonjësit civilë, kontraktorët dhe anëtarët e ushtrisë.
Kjo nuk do të thotë se më shumë se 1 milion njerëz kanë akses në çfarëdo dokumenti “Top Sekret” që ndodhej në Mar-a-Lago. Çdo agjenci që merret me klasifikimin ka sistemin e vet dhe supozohet të jetë e përfshirë në deklasifikimin e dokumenteve të veta.
Mbrojtësit e Trump kanë argumentuar se ai kishte vendosur një urdhër për të deklasifikuar çdo dokument që ai mori nga Zyra Ovale në rezidencë gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse profesionistët kanë thënë se ky pretendim nuk mund të jetë i vërtetë.
“Ideja që presidenti mund të deklasifikojë dokumentet thjesht duke i zhvendosur ato nga një vend fizik në tjetrin është e pakuptimtë në shumë nivele”, tha Shawn Turner, një analist i CNN dhe ish-drejtor i komunikimit për Inteligjencën Kombëtare të SHBA, gjatë një paraqitje të hënën në emisionin “Brenda Politikës”.
Ekziston një proces zyrtar
Turner tha se procesi për deklasifikimin duhet të përfshijë nënshkrimin nga agjencia që klasifikoi informacionin në radhë të parë në mënyrë që të mbrojë procesin e mbledhjes së inteligjencës, burimet dhe metodat e tij.
Presidentët kanë përdorur periodikisht urdhra ekzekutivë për të përditësuar sistemin zyrtar me anë të të cilit deklasifikohen informacionet e klasifikuara.
Ndër të fundit ishte presidenti Barack Obama, i cili vendosi “Urdhrin Ekzekutiv 13526” në vitin 2009. Kjo është ende politika zyrtare pasi as Trump dhe as Presidenti Joe Biden nuk e kanë përditësuar atë.
Qeveria mund të ndryshojë procesin së shpejti
Biden filloi një rishikim se si trajtohen të dhënat e klasifikuara në fillim të kësaj vere. Sipas një raporti shterues të Shërbimit Kërkimor të Kongresit mbi procesin e deklasifikimit, sipas skemës së Biden do të rishqyrtohen tre nivelet e përgjithshme të klasifikimit.
Nivelet e klasifikimit
Katie Lobosco e CNN shkroi një “abetare” shumë të mirë mbi mënyrën sesi funksionojnë nivelet e të dhënave të klasifikuara javën e kaluar. Këtu është përshkrimi i këtyre tre niveleve të klasifikimit.
Top Secret – Ky është niveli më i lartë i klasifikimit. Informacioni klasifikohet si “Top Sekret” nëse me arsye mund të pritet që të shkaktojë dëm jashtëzakonisht të rëndë në sigurinë kombëtare, sipas një urdhri ekzekutiv të vitit 2009 që përshkruan sistemin e klasifikimit.
Një nëngrup dokumentesh Top Sekrete të njohura si SCI, ose informacione të ndara sensitive, rezervohen për informacione të caktuara që rrjedhin nga burime të inteligjencës. Aksesi në një dokument SCI mund të kufizohet edhe më tej për një grup më të vogël njerëzish me leje specifike sigurie.
Disa nga materialet e gjetura nga shtëpia e Trump në Florida u shënuan si SCI Top Secret.
Sekret – Informacioni klasifikohet si “Sekret” nëse informacioni konsiderohet se mund të shkaktojë “dëm serioz” në sigurinë kombëtare nëse zbulohet.
Konfidencial – Konfidencial është niveli më pak i ndjeshëm i klasifikimit, i aplikuar për informacionin që pritet në mënyrë të arsyeshme të shkaktojë “dëm” për sigurinë kombëtare nëse zbulohet.
Çfarë lloj gjërash janë Top Sekrete?
Ish-oficeri i CIA-s, David Priess, i cili tani është botues i faqes në internet Lawfare, tha në “New Day” se pavarësisht klasifikimit specifik, është informacion që qeveria ka një interes të mos bëhet publik. Mund të jetë informacion i mbledhur për programin bërthamor të Koresë së Veriut ose operacionet ushtarake ruse, për shembull.
Rrjedhjet mund të jenë katastrofike ose vdekjeprurëse
Qeveria shpesh merr këtë lloj informacioni duke u kërkuar njerëzve të rrezikojnë jetën e tyre ose duke përdorur teknologji për të cilën nuk dëshiron që kundërshtarët të kenë informacion.
Duke folur për këtë të hënën në mëngjes, Priess u emocionua. “Ekspozimi i këtij informacioni vë në rrezik jetën e njerëzve. Kjo nuk është shaka. Ne njohim njerëz që kanë vdekur duke i shërbyer vendit të tyre në këtë mënyrë”, tha ai.
Çfarë e zgjati kaq shumë?
Pyetja më e madhe mbi dosjet e klasifikuara, argumentoi Priess, është pse, nëse qeveria e dinte se dokumentet ishin në Mar-a-Lago, hetuesve iu desh kaq shumë kohë për t’i marrë ato.
“Në mënyrë që një President të deklasifikojë ndonjë dokument”, – argumentoi ai, “duhet të ketë ende një gjurmë letre në mënyrë që të gjithë të dinë se diçka është deklasifikuar”.
“Nëse nuk janë të shënuara të deklasifikuara dhe dokumentet e tjera me të njëjtin informacion nuk janë gjithashtu të deklasifikuara, a ka ndodhur vërtet? Nëse nuk ka të dhëna për këtë, nga e dini ju?”, pyet Priess.
Mund të mos na japin më shumë informacion mbi aksionin për një kohë shumë të gjatë
Problemi tani mund të jetë se imagjinata do të jetë e egër për atë çfarë fshihet në dokumente.
Mund të kalojë një kohë shumë e gjatë para se votuesit amerikanë të kenë ndonjë ide se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë.
“Teknikisht, ne nuk do të shohim asnjë veprim të mëtejshëm për këtë çështje në dosjen ligjore, përveç nëse dhe derisa të kallëzohet penalisht ndonjë person”, tha analisti ligjor i CNN dhe ish-prokurori federal Elie Honig, gjithashtu në “Ditën e Re”.
Tashmë ka disa spekulime se në vend që të ndiqte akuza, qeveria thjesht po përpiqej të siguronte të dhënat.
Informacioni i klasifikuar mund të qëndrojë i tillë për vite me radhë, midis 10 dhe 25 viteve, sipas udhëzimeve të deklasifikimit të nënshkruara nga Obama.
Standardi është që nëse diçka nuk ka më nevojë të klasifikohet, ajo duhet të deklasifikohet. Dhe nëse duhet të klasifikohet pas asaj periudhe 25-vjeçare, mund të bëhet.
Dokumente “Top Secret” të dikurshme
FBI, CIA dhe Departamenti i Shtetit kanë të gjitha dhomat e leximit në internet të të dhënave të klasifikuara më parë të lëshuara përmes “Aktit të Lirisë së Informacionit”. Asnjë prej tyre nuk është dokument i viteve të fundit.
Rasti i dokumenteve të gjetura në Mar-a-Lago dhe që i zotëronte Trump duket i veçantë, megjithatë, dhe tashmë ka thirrje dypartiake nga Senatorët Mark Warner dhe Marco Rubio (zyrtarët më të lartë të zgjedhur në Komitetin e Inteligjencës së Senatit) drejtuar Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Avril Haines dhe Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland për më shumë informacion rreth asaj që u mor nga FBI.
Shembuj të ndjekjeve penale
Ndjekjet penale për keqpërdorim të të dhënave të klasifikuara mund të përfshijnë figura të profilit të lartë.
Për shembull, gjenerali në pension dhe ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, i dha informacion të klasifikuar zonjës së tij, e cila po shkruante një libër për të. Ai në fund u deklarua fajtor, pagoi një gjobë prej 100,000 dollarësh dhe mori dy vjet dënim me provë.
Çfarë të dhënash ka keqpërdorur? Nga raporti i CNN në atë kohë rezulton se gjatë kohës së tij si komandant në Afganistan, Petraeus mbajti shënime personale duke përfshirë informacione të klasifikuara në tetë fletore të zeza 5 me 8 inç. Informacioni i klasifikuar përfshinte identitetin e oficerëve të fshehtë, strategjinë e luftës, shënimet nga takimet diplomatike dhe të sigurisë kombëtare dhe fjalët e kodit të sigurisë.
Rastet e tjera nuk janë aq të njohura, si ai i Asia Janay Lavarello, një punonjëse civile e Departamentit të Mbrojtjes që punon në Ambasadën e SHBA në Manila.
Ajo mori dokumente të klasifikuara në dhomën e saj të hotelit dhe në shtëpinë e saj ndërsa po punonte për një projekt dhe u dënua më pas me tre muaj burg.