Nga raketat me rreze të gjatë, te dronë e blindat, çfarë armësh po dërgohen në Ukrainë nga Mbretëria e Bashkuar?

Mbretëria e Bashkuar vazhdimisht ka dërguar armë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit nga Rusia.

Dhe mijëra trupa ukrainase të vijës së parë po përdorin tani armë dhe pajisje të furnizuara nga Mbretëria e Bashkuar.

Madje, Qeveria britanike thotë se po shpenzon 1.3 miliard paund (1.5 miliard euro) për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, shkruan BBC.

Por, çfarë saktësisht po dërgohet dhe sa ndryshim po bëjnë ato?

Raketa me rreze të gjatë

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ka konfirmuar se sistemet e raketave M270 po dërgohen në Ukrainë.

Qeveria thotë se trupat ukrainase do të trajnohen se si të përdorin armët në MB.

Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se sa armë do të dërgohen, por BBC kupton se fillimisht do të jenë tri të tilla.

Jack Watling i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) thotë: “Këto sisteme janë pikërisht ato që i duhen Ukrainës. Ato u lejojnë ukrainasve të tejkalojnë shumë sisteme të artilerisë ruse dhe gjithashtu të godasin me saktësi”.

Armët antitank

Mbretëria e Bashkuar ka dërguar më shumë se 5000 armë të lehta antitank të gjeneratës së ardhshme, ose Nlaw, në Ukrainë.

Nlaws janë krijuar për të shkatërruar tanke në distancë të shkurtër me një goditje të vetme.

Në mënyrë thelbësore për forcat e armatosura të Ukrainës që kanë nevojë për armë menjëherë, raketat janë të lehta për t’u transportuar dhe të thjeshta për t’u përdorur.

Dhe një ushtar mund të trajnohet për t’i përdorur ato në më pak se një ditë.

Ndërkohë shumë analistë besojnë se ata tashmë kanë pasur një ndikim të madh në rrjedhën e konfliktit.

Raketat me rreze të shkurtër

Ministri i Mbrojtjes, James Heappey konfirmoi se “qindra” raketa Brimstone do të dërgoheshin në Ukrainë më 28 prill.

Ato mund të përdoren kundër tankeve, artilerisë dhe disa anijeve më të vogla.

Raketat zakonisht lëshohen nga aeroplanët, por në Ukrainë ato janë duke u modifikuar për t’u gjuajtur nga kamionët.

Lëshimi i tyre nga toka zvogëlon rrezen e tyre efektive. Por nëse përdoren si raketa kundër anijeve, Brimstones janë shumë të vogla për të fundosur anije më të mëdha, por mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme.

Automjete të blinduara

Britania i ka dhuruar Ukrainës 120 automjete të blinduara, duke përfshirë automjete patrullimi Mastiff.

Mastiff ishin shumë të popullarizuar në mesin e trupave britanike në Afganistan pasi ato ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër minave tokësore dhe pajisjeve shpërthyese të improvizuara, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Analistët thonë se në një zonë që është po aq e minuar sa Donbasi, Mastiffs ka të ngjarë të jenë shumë të dobishëm.

Dronët

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se po furnizon “dhjetëra” sisteme të mjeteve ajrore pa pilot (UAV) për të ofruar mbështetje logjistike për forcat e izoluara.

E analistët thonë se dronët mund të jenë shumë efektivë në marrjen e furnizimeve gjatë “miljes së fundit” për trupat e vijës së parë, veçanërisht nën kërcënimin e zjarrit të artilerisë ruse dhe në situata ku ekziston rreziku i rrethimit.

Sistemet e mbrojtjes ajrore

Britania tregon se ka dhuruar pesë sisteme të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë Starstreak.

Starstreak është projektuar për të rrëzuar aeroplanët me fluturim të ulët në distancë të shkurtër.

Forcat ruse mund t’i konsiderojnë disa operacione shumë të rrezikshme nëse janë të vetëdijshëm se një armë aq vdekjeprurëse sa Starstreak është në terren.

Megjithatë, Starstreak kërkon shumë më tepër trajnim sesa sisteme të tilla si Nlaw, dhe nuk është zëvendësues, thonë analistët, për sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze më të gjatë.

Çfarë në një afat më të gjatë?

Mbajtja e furnizimeve me pajisje, armë dhe municione perëndimore do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ukrainasit në një afat më të gjatë, sipas Brig. Ben Barry në pension, i Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike.

Ai thotë se megjithëse Ukraina ka disa kapacitete të veta të prodhimit të armëve, do të jetë e vështirë për trupat e saj që të marrin një territor të konsiderueshëm nga forcat ruse pa mbështetje të konsiderueshme nga jashtë.

Në këtë drejtim, profesionistët ushtarakë theksojnë se nevoja e Ukrainës është kryesisht për pajisje të cilat trupat e saj tashmë dinë t’i përdorin, ose mund të trajnohen shumë shpejt.

Ndryshe, pjesa më e madhe e armatimit të Ukrainës ishte projektuar dhe prodhuar në vendet e Evropës Lindore të ish Traktatit të Varshavës.

Pajisjet e tjera të ofruara nga MB përfshijnë edhe më shumë se 200 raketa antitank Javelin; 1360 municione antistrukturore; 4.5 ton eksploziv plastik; përfshirë edhe dhjetëra mijëra helmeta, parzmore trupi, dhe pajisje mjekësore.