“A tha Presidenti i Serbisë [Aleksandër Vuçiç] ‘jemi në beteja dhe para betejave; nuk janë të armatosura, por as nuk mundemi t’i përjashtojmë’. Jo, sigurisht. Presidenti i Serbisë e ka thënë këtë shumë kohë më parë, në 1989, në Gazimestan. Emri i atij presidenti ishte Sllobodan Millosheviç”.
Kështu e nisi shkrimin në një kolumne të botuar në Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, gazetari dhe opinionisti serb Teofil Pançiç, në një analizë rreth konferencës për media të Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të dielën, të cilën Pançiç e interpretoi si kërcënim të ngjashëm me atë të Millosheviçit në vitin 1989 në Gazimestan.
Krejt kjo pas vendimit të qeverisë së Kosovës rreth targave ilegale serbe “KM, etj” si dhe reciprocitetit për dokumentet personale të identifikimit me Serbinë, për të cilin Vuçiç doli në konferencë njëorëshe për media.
“Pas 33 viteve, sidoqoftë, një president tjetër tha këtë: ‘nëse nuk duan ta ruajnë paqen, po ju them – Serbia do të fitojë’. Presidenti i tanishëm quhet Aleksandër Vuçiç, dhe Gazimestani është shumë larg, skenë e paqasshme më për proklamime të mëdha për presidentët serbë”, shkruan Pançiç në analizën e tij.
Por, sipas tij, konferenca për media e Vuçiçit “ka lidhje të drejtpërdrejta me pasojat e fjalëve dhe veprave të Gazimestanit nga 1989”.
“Pavarësisht se si interpretojmë atë çfarë tha Aleksandër Vuçiç, duket si një dhe vetëm një gjë: kërcënim lufte, ose thënë me fjalët e Millosheviçit, ‘beteja të armatosura’. Ose madje edhe ‘kërcënim se do të fitojmë’, por në diçka që s’ka të bëjë me paqe dhe është e kundërta e paqes, dhe do të jetë që ajo që s’është paqe e ka tani vetëm një emër. Prandaj, në mënyrë që të arrihet ajo fitore, duhet që të niset luftë”, shkruan Teofil Pançiç në analizën e tij ndaj fjalimit të Aleksandër Vuçiç.
“Vuçiç mbushi të gjitha llojet e gjërave në monologun e tij të irrituar proverbial, përfshirë Putinin dhe Zelenskin dhe treqind mrekullitë, por në fund mbetet fakti se askush tjetër, as në nivel lokal dhe as global, nuk e përmend prishjen e paqes si opsion – vetëm ai”.
“A e ka Vuçiç atë forcë? Vështirë. A ka ai ambicie dhe prirje të tilla? Kjo është gjithnjë e më e vështirë për t’u përgjigjur. E vetmja gjë që është e padiskutueshme është se ruajtja e paqes është diçka shumë më e madhe dhe më e çmuar se çdo individ me një vizion shumë problematik të shtetbërjes”, vazhdon gazetari serb.
Në fjalinë e fundit përmbyllëse, opinionisti serb shkruan se “do të ishte iluzore të flitej për fitore dhe nuk është aspak e qartë se kush do ta mirëpriste atë fitore”.