Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media se koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojnë pragun prej 5%.
Ai u shprehë se 6 ulëse në kuvend i ka siguruar Nisma dhe se po lufton për të 7, shkruan Indeksonline.
“Sipas përllogaritjeve tona në bashkëpunim me shtabet e degëve tona, na rezulton se në fund të procesit të numërimit të votave dhe të kutive të rregullta dhe me kusht, Nisma pra e ka të konfirmuara nga degët e veta rreth 40 mijë vota dhe pasi të mbarojë procesi i numërim ti votave me kusht dhe të rregullta, fillon procesi i numërimit të votave nga diaspora. Po ashtu nga kandidatët tanë që kanë pasur bashkëpunim me familjarët e tyre që kanë kërkuar mbështetje e tyre, me miqtë e tyre dhe me disa organizime që i kemi bërë në diasporë presim të marrim 3 mijë e 500 , 4 mijë vota .”
“Vetëm me votat e Nismës pa AKR-në, po ashtu edhe AKR sipas informatave kanë vota në diasporë. Pra koalicioni do të sillet rreth 44 mijë deri 45 mijë vota. Sipas përllogaritjeve, koalicioni Nisma-AKR do të ketë 5.5% , ku 6 mandate janë të sigurta dhe mund të luftohet për mandatin e 7-të. Ne jemi të bindur që koalicioni Nisma-AKR do t’i ketë 6 të sigurta dhe gjasat maksimale janë të merret edhe mandati i 7-të.”
“I uroj të gjithë simpatizantët e Nismës për këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Nëse të tjerët mund të festojnë që kanë dal të parët apo të dytët, Nisma Socialdemokrate feston dhe ka arsye për të festuar se është bërë pjesë e parlamentit dhe pashmangshëm do të jetë pjesë e qeverisë sepse numrat thonë se pa mandatet e Nismës do të jetë e vështirë të arrihet kushdo qoftë.”, u shprehë Sherifi.