Ka vdekur një 19-vjeçare nga Vushtrria, pasi dyshohet se nuk mori trajtim në Klinikën Infektive për gjendjen e saj shëndetësore. Ndonëse më vonë, ajo kishte rezultuar negative në Covid-19.
Koha nga burimet e saj ka mësuar se 19-vjeçarja ishte dërguar në Infektivë për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore, megjithatë, për shkak të situatës së krijuar me COVID-19 në Infektivë, dhe se aty po trajtohen vetëm të prekurit me koronavirus, ajo nuk u kontrollua.
Koha ka mësuar se Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin si të dyshimtë.
Zyrtarisht nga Policia e Kosovës, Koha ka mësuar se tetë policë janë dërguar në karantinë, për shkak se ishin në kontakt me familjen e viktimës, pavarësisht se rezultatet e së ndjerës më vonë kishin rezultuar negative.
“Policia po e heton rastin. Tetë policë janë në karantinë shkaku i këtij rasti dhe do të qëndrojnë 14 ditë, ani pse sot pasdite rezultatet e të ndjerës kanë dalë negative”, ka mësuar Koha zyrtarisht nga PK-ja.