Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë të djeshme për Zërin e Amerikës e ka lëvduar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si një partner të mirë i cili sipas tij, po bën atë çfarë është e mundur për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
E nga ana tjetër, Hill e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për zhvillimet gjatë fundit të muajit maj në veri dhe ka thënë “më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner”.
Mirëpo këto deklarime të diplomatit amerikan nuk janë pritur mirë nga njohës ndërkombëtarë të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, shkruan klankosova.tv.
Politikani dhe autori portugez, Bruno Maçaes, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e sulmojnë një vend demokratik [Kosovën] për zbatimin e vendimeve demokratike, ndërsa po mbrojnë një vend autokratik [Serbinë].
“Po më thonë se kjo nuk është më shumë se një pushim i shkurtër në betejën e madhe globale midis autokracisë dhe demokracisë”, ka shkruar Maçaes në Twitter.
Njësoj konsideron edhe studiuesi boshnjak i shkencave politike, Jasmin Mujanoviq. Ky i fundit e kritikon Hillin se po e përkrahë një autokrat si Vuçiqin i cili është në një linjë me Rusinë.
“Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, thotë se Administrata Biden e konsideron autokratin Vuçiq që është në një linjë me Rusinë ‘si një partner të mirë’, por vë në dyshim kryeministrin e Kosovës pro-NATO i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike”, ka shkruar Mujanoviq në Twitter.
Në të njëjtën linjë është edhe analisti i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, Jakub Bielamowicz, i cili ka kritikuar ambasadorin amerikan duke thënë se e ka humbur sensin e realitetit.
“Ai vë në dyshim nëse kryeministri demokrat i Kosovës është partner i ShBA-së dhe refuzon t’u bëjë jehonë thirrjeve të kolegut të tij, Gabriel Escobar, për një pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në zgjedhje”, ka thënë Bielamowicz në Twitter.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti gjerman i Të Gjelbërve, Reinhard Butikofer, i cili deklaratën e Hillit e ka konsideruar “çmenduri”.
“Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, duke komentuar në konfliktin Serbi-Kosovë, e quan presidentin e Serbisë Vuçiq ‘partner të mirë’ ndërsa vë në pikëpyetje nëse ShBA-ja ‘mundet ende ta konsiderojë’ kryeministrin e Kosovës Kurtin ‘partner’. Thjesht çmenduri”, shkroi eurodeputeti gjerman.
Kujtojmë se ambasadori Hill nuk është i vetmi që po e fajëson Kurtin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Në fund të muajit maj, u krijuan tensione në Zubin Potok, Leposaviq e sidomos në Zveçan me protestuesit serbë që nuk i lejonin kryetarët e rinj të tri komunave me shumicë serbe t’i ushtronin detyrat e tyre nga objektet komunale.
Si rrjedhojë, u desh të ndërhyjë Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i prej të cilëve 30 morën lëndime trupore gjatë përplasjes me protestues të dhunshëm serbë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Sipas tij, veprimet në veri do të kenë pasoja në marrëdhënien bilaterale ShBA-Kosovë.
“Veprimet e tilla kanë përshkallëzuar ashpër dhe panevojshëm situatën duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ato do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Si rrjedhojë, Kosova u përjashtua nga stërvitja ushtarake “Defender Europe” 2023. Ndërsa ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendi i tij nuk do të lobojë te shtetet mosnjohëse që ato ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Emisarët perëndimorë, Escobar e Lajçak, është paralajmëruar se sot do të raportojnë tek shefat e tyre mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë, pas qëndrimit në fillim të javës në Kosovë e Serbi, në tentim për të gjetur një zgjidhje për krizën.
Kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare për të qetësuar situatën në veri është tërheqja e forcave policore nga ndërtesat komunale, caktimi i datës së zgjedhjeve të reja për komunat veriore me pjesëmarrjen e serbëve lokalë, si dhe nisjen e themelimit të Asociacionit.
Kryeministri Kurti, nga ana e tij, po insiston se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në tërësi në pjesën veriore të vendit, duke mos u pajtuar me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.