Imazhet e rrëmbimit të saj, ajo thirrje e dëshpëruar , ‘Mos më vrit’, teksa Hamasi e mori peng me motoçikletë, me krahët e shtrirë drejt të dashurit të saj, gjithashtu i rrëmbyer dhe ende në Gaza, e kthyen menjëherë një simbol të rrëmbimeve në Izrael më 7 tetor 2023. Fytyra dhe historia e saj, thirrjet e nënës së sëmurë me kancer në tru, kishin bërë jehonë në të gjithë botën.
Noa Argamani është kthyer në shtëpi. 26 vjeç, studente nga Be’er Sheva një qytet jugor pak më shumë se gjysmë ore nga Re’im të Izraelit, vendi ku u mbajt festivali Nova më 7 tetor, ndërsa ajo kishte dalë për të kërcyer me të dashurin e saj. Videoja e rrëmbimit të saj ishte një nga të parat që u shfaq atë ditë: nga pamja e tmerruar e asaj vajze, miliona njerëz në mbarë botën kuptuan se kriza që po hapej në Gaza nuk ishte aspak si ajo që kishte ndodhur në të kaluarën.
Noa dhe Shani
Brenda pak orësh, Noa, ashtu si Shani Louk, u bënë simboli i dhunës së ushtruar mbi gratë izraelite atë ditë. Të dy të reja, të dyja të bukura, të dyja u rrëmbyen ndërsa ishin në festë. Shani, u mor pa ndjenja, e ngarkuar si një ‘trofe’ në pjesën e pasme të një kamioni nga Hamasi dhe u gjet e vdekur në Gaza muaj më vonë. Tjetra, Noa, u mbajt me forcë nga dy anëtarë të Hamasit në anën e pasme të një motoçiklete para se të zhdukej për muaj të tërë. Dhe më pas u shfaq sërish e zbehtë, e frikësuar, e plagosur, në një video propagandistike të Hamasit, e detyruar të fliste për vdekjen e dy pengjeve me të cilët kishte ndarë robërinë.
Shani Louk, një prej pengjeve të Hamasit e cila u vra
Nëna e Noas e sëmurë
Për ta bërë gjithçka edhe më të vështirë, situata e nënës së Noas, zonjës Liora, një shtetase kineze, me kancer në tru, në nëntor ajo nisi një apel për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën për ta ndihmuar të përqafonte vajzën e saj të vetme para se të vdiste. Në janar ajo përdori të gjitha forcat e saj dhe dha një mesazh në një nga mitingjet e shumta ku bëhej thirrje për limimin e pengjeve në Tel Aviv, duke bërë të qajë gjithë sheshin.
“Po vdes, ma ktheni vajzën”, tha ajo.
Noa e rrethuar me familjarë flet në telefon
Takimi me familjen
Disa orë pasi u shpëtua nga robëria prej tetë muajsh në Gaza, Noa Argamani mbërriti në një spital në Tel Aviv për të parë nënën e saj të sëmurë. Ajo u prit me brohoritje pas mbërritjes në Qendrën Mjekësore të Tel Aviv Sourasky.
Drejtori ekzekutiv i spitalit Ronni Gamzu tha se gjendja e nënës ishte “e ndërlikuar dhe e vështirë”, pasi tashmë ndodhet në fazën e fundit dhe prej 8 muajsh janë përpjekur ta mbajnë në gjendje stabël.
Mjeku tha se Noa arriti që të komunikonte me telefon me nënën e saj.
“Për tetë muajt e fundit ne po përpiqemi ta mbajmë atë në një gjendje që ajo mund të komunikojë,” tha Gamzu.
Babai i Argamanit, Yaakov, e takoi për herë të parë pasi një helikopter ushtarak e çoi Noan në Izrael.
“Sot është ditëlindja ime dhe një dhuratë si kjo nuk e kisha besuar kurrë se do ta merrja”, tha ai.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu,” tha ajo në një telefonatë me presidentin e Izraelit pas kthimit të saj, duke buzëqeshur dhe e rrethuar nga miqtë dhe familja.
Ka ende të burgosur në Gaza. Për Noan dhe familjen e saj, pjesa më e keqe e makthit tashmë ka përfunduar, të tjerët janë ende në pritje.