Inxhinierja e ndërtimit Adela Gjoka u hodh nga kati i shtatë i banimit në Rrëshen. 23 vjeçarja i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga pallati ku jetonte, në pamundësi për të ndihmuar familjen, e cila kishte shpenzuar mjaft për të, duke e shkolluar.
Adela Gjoka ishte e diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë dhe në kushtet e një depresioni të rëndë i dha fund jetës. Edhe pse kishte studiuar në një nga degët universitare më të kërkuara në tregun e punës, për Adelën nuk kishte pasur kurrë një mundësi të tillë.
Nga burime pranë familjës së vajzës mësohet se e reja kishte kohë që kërkonte një vend pune. Familja e saj jetonte në kushte ekstreme të varfërisë dhe për këtë shkak kishte borxhe për të shlyer. E reja së fundmi kishte kërkuar të largohej edhe jashtë vendit për të siguruar një punë, sigurisht shumë larg profesionit për të cilin ishte diplomuar me rezultate të mira dhe me shumë mundim.
Prindërit nuk kishin asnjë mundësi për ta ndihmuar më shumë se shkollimi. Ata mendonin se pas mbarimit të shkollës vajza do të gjente një punë dhe me të ardhurat e saj të shlyenin borxhet që kishin marrë për shkollimin.
Por mesa duket inxhinierja nuk e ka arritur një gjë të tillë, duke lënë edhe më shumë të pikëlluar prindërit e saj, që jetonin në këtë pallat falë zemërgjerësisë së pronarit.
I ati i Adelës punonte si roje në pallatin ku ata banonin. Vdekja e të resë ka tronditur fqinjët dhe gjithë qytetin e Rrëshenit. Banorët e zonës thonë se Adela kishte lidhur në sy një shami në momentin kur është hedhur nga pallati, ndërsa britmat e saj i kanë tmerruar të gjithë.