Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, ka thënë se ata nuk ishin në dijeni që disa nxënës do të mbanin fotot e kryeparlamentarit dhe presidentes Vjosa Osmani gjatë një vizite që e bën në këtë institucion.
Kërçeli ka fajësuar direkt mësimdhënësit për këtë çështje, ndërsa ka shtuar se fëmijët duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla.
“Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjes mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, thuhet në reagimin e Kërçelit në Facebook.
Fotoja e publikuar ngriti shumë debat në rrjete sociale për mënyrën se si ishin keqpërdorur fëmijët, duke mbajtur në duar fotografi të dy liderëve politikë në hollin e Kuvendit.