Ofensiva në Siri, Amerika vendos sanksione kundër Turqisë

Përballë kritikave të forta nga ligjvënësit amerikanë, Presidenti Donald Trump u kujdes të projektonte një linjë më të ashpër ndaj Turqisë, lidhur me ofensivën në veri të Sirisë.

Shtetet e Bashkuara aprovuan sanksione ndaj ministrive dhe zyrtarëve të lartë turq. Sekretari i thesarit i përshkroi sanksionet si shumë të forta dhe tha se do të kenë një impakt të madh në ekonominë turke. Zv. presidenti amerikan Mike Pence bëri të ditur se, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me homologun turk Rexhep Taip Erdogan, për t’i kërkuar një armëpushim të menjëhershëm.

Ushtria siriane hyri më herët në zonat verilindore, pas një marrëveshje mes qeverisë së Bashar al Assad dhe trupave kurde. Kjo mund të çojë drejt një konfrontimi me forcat e drejtuara nga Turqia.

Ankaraja pretendon se qëllimi i ofensivës është zmbrapsja e kurdëve nga rajoni kufitar dhe krijimi i një zone të sigurtë për dërgimin e refugjatëve sirianë që po qëndrojnë përtej kufirit. Por ndërkombëtarët i druhen një spastrimi etnik.