Okupimi i Prishtinës nga serbët më 1912: “Banorët vriten si lepuj”

Nga Skënder Latifi

“Në mbrëmjen midis 22 dhe 23 tetorit (1912), lajmi i përhapur midis shqiptarëve se Prishtina tanimë kishte rënë në duart e serbëve, ishte shkas që divizionet tona të tërhiqeshin drejt Kumanovës. Flitej se mbi shqiptarët kishin ndikuar edhe qëllimkëqijtë”, ka kujtuar komandanti i ushtrisë turke, Zeki Pasha. “Në të gjitha anët ushtria i djeg fshatrat, ndërsa banorët që e marrin arratinë para ushtrisë së egërsuar vriten si lepuj. Njerëzit vriten para grave sikur të ishin mushkonja, por edhe më së rëndi është kur gratë duhet t’i shohin se si ushtarët ua vrasin fëmijët…”, shkruante në janarin e vitit 1913, gazeta “The Daily Telegraph”

“Në mëngjes u nisëm tutje. Prapë e morëm drejtimin e Prishtinës dhe duke marshuar tërë ditën mezi që mbërritëm atje gjysmë ore para mesit të natës. U vendosëm në Prishtinë pasi këtu tashmë ishte vendosur Divizioni i Moravës. Në këtë ditë nuk pati shumë luftime, sepse turqit u larguan me të madhe. Rrugës pamë mjaft serbë të përulur dhe ata e pritën ushtrinë tonë të gëzuar tej mase”, ishte njëri ndër lajmet e para të hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinën e vjeshtës së 21 tetorit të vitit 1912.

“Rrugët me kalldrëm u përgjakën nga trupat e vrarë të prishtinasve”

Ndërsa lidhur me mungesën e suksesit të ushtrisë turke në Luftën e Parë Ballkanike, komandanti i Armatës së Vardarit, Zeki Pash,a në kujtimet e tij të titulluara “Nın Balkan Savaşı Hatıratı” të botuara së voni, ka shkruar: “Shqiptarët… që ishin të ndershëm dhe trima, e humbën besimin ndaj nesh në çastin që atyre iu morën armët. Për këtë arsye ishte e pamundur që midis ushtrisë së rregullt dhe vull¬ne¬tarëve shqiptarë të arrihej harmonia gjatë veprimeve luftarake. Duke pasur parasysh se në atë kohë, si po¬pulli ashtu edhe ushtria ishin të bindur së çështja e pavarësisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë ishte punë e mbaruar, kishte të atillë që mendonin se kjo luftë ishte e pakuptimtë dhe e kotë. Natën e kaluam në kazermën turke të Prishtinës që do të jetë me interes të madh për ne. Ushtria jonë i ka bastisur shtëpitë shqiptare dhe në ato shtëpi që u gjetën armë, ushtria i vrau në vend të gjithë shqiptarët. Numri i shqiptarëve të vrarë në qytet ishte i madh, bile edhe rrugët me kalldrëm u përgjakën nga trupat e vrarë të prishtinasve”.

Qendra e robërve të luftës në Vranjë, vjeshtë 1912

“Njerëzit vriten para grave sikur të ishin mushkonja”

Rënia e Prishtinës nën okupimin serb dhe ngjarjet e zhvilluara qysh në ditën e parë u reflektuan keq edhe në luftën që tashmë po zhvillohej në pjesët lindore të Vilajetit të Kosovës.

“Në mbrëmjen midis 22 dhe 23 tetorit (1912), lajmi i përhapur midis shqiptarëve se Prishtina tanimë kishte rënë në duart e serbëve, ishte shkas që divizionet tona të tërhiqeshin drejt Kumanovës. Flitej se mbi shqiptarët kishin ndikuar edhe qëllimkëqijtë”, ka kujtuar sërish komandanti i ushtrisë turke, Zeki Pasha.

Ndërsa, fillimi i vitit të ri, nisi me një shkrim të datës 2 janar 1913 në gazetën beogradase “Pijemont” ku shprehej nervozizmi i qarqeve serbe lidhur me paraqitjet e krimeve të ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në shtypin ndërkombëtar. Sipas kësaj gazete, “korrespodenti i ‘The Daily Telegraph’ nga Peshta kishte shkruar se në rrethinat e Prishtinës, ushtria serbe i ka vrarë 5000 myslimanë të qetë duke mos e llogaritur këtu numrin e shqiptarëve të vrarë. Në të gjitha anët ushtria i djeg fshatrat, ndërsa banorët që e marrin arratinë para ushtrisë së egërsuar vriten si lepuj. Njerëzit vriten para grave sikur të ishin mushkonja, por edhe më së rëndi është kur gratë duhet t’i shohin se si ushtarët ua vrasin fëmijët. Në të dy anët e rrugës për në Gjakovë janë ngritur trekëndësha ku myslimanët varen pa ndërprerë”.

Çarshia e Prishtinës

Nostalgjia për zanatet e vjetra të Prishtinës

Imazhet e fundit të Prishtinës së vitit 1912, janë pjesë e një raporti të Ministrisë së Ekonomisë në Beograd. Në këtë raport është paraqitur në detaje gjendja që është gjetur në Prishtinën e ditëve të para të okupimit në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912 -1913.

Përmbajtjen e raportit po e sjellim pa ndonjë ndryshim.

“Nëse në kohën e saj Prishtina do të kishte fituar Stacionin Hekurudhor, më afër atëherë kjo qendër do të qëndronte ekonomikisht më mirë. Pikë së pari gruri në Prishtinë sillet nga Llapi, ndërsa gruri nga Kosova shkon në stacionet e qyteteve të tjera si Vushtrri, Lipjan dhe mu për këtë shkak Prishtinës i bien hise vetëm 200 vagonë grurë, që i merr mulliri i Shaban Pashës, pastaj rreth 200 vagonë elb, rreth 200 vagonë tërshërë dhe rreth 150 vagonë misër. Zanatet në Prishtinë janë vendore dhe për shkak të rrethinës së pasur ato në përgjithësi qëndrojnë mirë. Prej zanateve janë të përfaqësuara: i rrobaqepësisë, berberëve, nallanexhinjve, këpucarëve, teneqexhinjve, terzinjve, pambukxhinjve, zhguntarëve, argjentarëve, lëkurëregjësve, saraçëve, bukëpjekësve, fuçibërësve, kazanxhinjve, muftaxhinjve, bojaxhinjve, vorbarëve, sapunuesëve, opingbërësve, farkëtarëve, kasapëve, nallbanëve, zdrukthëtarëve, asërbë rësve dhe ata të bërjes së bonboneve.

Janë tetë dyqane të rrobaqepësve, njëri prej tyre i ka dy kallfë dhe një shegërt, tre dyqane tjera e kanë nga një kallfë dhe nga një shegërt, ndërsa të tjerët punojnë me nga një shegërt. Kallfët punojnë me copa, pra për një pallto, kallfa i merr 6 dinarë, për pantallona 3 dinarë, ndërsa për jelek 2,5-3 dinarë. Shegërti e ndjek zanatin për tre vjet rresht dhe gjatë asaj kohe atij i sigurohen këpucët dhe buka në vlerë 0,20 deri në 0,30 dinarë në ditë. Rrobaqepësve puna u shkon mirë. Në kohën turke mëditjet e punëtorëve kanë qenë të ulëta, prandaj edhe puna është vlerësuar lirë. Kështu mjeshtri i merrte jo më shumë se 20 dinarë për astarin dhe krahët, ndërsa myshteriu duhej vetë ta blinte stofin. Rrobaqepësi më i mirë paguante qira vjetore për dyqanin në vlerë 12 lira turke”.

Pamje nga Prishina

Çmimet në Prishtinën e fundvitit 1912

Për të pasur më të qartë pasqyrën e çmimeve në Prishtinën e fundit të vitit 1912, duhet kujtuar se administrata okupues e kishte aprovuar kursin e këmbimit të monedhave të imta turke (të bakrit, nikelit dhe argjendit) me paratë serbe. Sipas kursit zyrtar: dinari serb vlente sa çereku turk (gjysmë mexhidie e argjendit) 20 pare sa një grosh turk (një pjastër) ndërkaq 5 para vlenin sa një metalik turk. Ky rregull vlente për qarkullimin privat, ndërkaq arkat shtetërore e kishin të ndaluar të pranonin para të sistemit turk, përveçse arit efektiv (sipas tarifës serbe, një lirë turke e arit e kishte vlerën e 22 dinarëve serbë në ar).

Më tutje raporti vazhdon me gjendjen e nallanexhinjve në Prishtinë ku thuhet se “janë tre dyqane dhe 6 nallanexhinj të tjerë që punojnë në shtëpitë e tyre. Një nallanexhi që paguan qira vjetore prej 650 groshëve, në ditë mund të fitojë 6-8 groshë. Berberhane janë 50 sosh, prej të cilave ato më të voglat e fitojnë nga një dinar në ditë, ndërsa ato të mesme pak më shumë”.

“Midis berberhaneve janë disa që janë të rregulluara shumë mirë. Për rroje zakonisht paguhet 0,10 dinarë. Para tridhjetë vjetëve berberët e kishin të organizuar edhe esnafin e tyre, ndërsa po në ato vite në Prishtinë ekzistonin tetë dyqane të tabakëve, fatkeqësisht tani nuk është asnjë! Këpucarë, janë 20 dyqane, dhe çdo dyqan i ka 2-3 kallfë dhe nga një shegërt. Kallfët e vjetër paguhen 5 groshë në ditë, ndërsa ata më të rinjtë 3 groshë. Shegërtët e marrin nga një grosh në ditë, por pa shujtën. Këpucët që i bëjnë këpucarët prishtinas kanë çmime të ndryshme, sa për ilustrim, këpucët pa lidhëse kushtojnë 50-55 groshë, kurse këpucët e zakonshme me lidhëse, mund të gjenden me çmim 20 dinarë. Mund të themi se këpucarëve punët iu shkojnë mirë. Tenexhinj, janë 5 dyqane, bile njëri prej mjeshtërve kohë më parë ka ardhur këtu prej Kurshumlie, ndërsa të tjerët janë vendas. Këta mjeshtër e ushtrojnë zejen e zakonshme turke të tenexhinjve prej kovave të vjetra. Puna iu shkon deri diku. Terzinj, janë katër dyqane, ndërsa më herët numri i tyre ishte më i madh. Tani ata i punojnë kostumet e femrave më tepër me serm dhe këto punime i bëjnë shumë të bukura. Para 15 vjetëve ka ekzistuar esnafi i tyre por tani ai nuk ekziston më, sepse zanati është në rënie e sipër. Terziu më i mirë, bashkë më të birin nuk mund të fitojë më shumë se 3-4 dinarë në ditë. Terzinjtë që punojnë në shtëpitë të tyre, punojnë vetëm 4 muaj në vit, ndërsa tetë muaj të tjerë jo. Kur ata punojnë atëherë i fitojnë 4 groshë në ditë. Është interesante të përmendet raporti ndërmjet punëtorit dhe punëdhënësit, që ekziston te ky zanat në Prishtinë. Kështu punëtori rri në dyqanin e mjeshtrit dhe punon për llogari të vetes, pra e bën punën për vete, ndërsa në fund ia jep çerekun e fitimit mjeshtrit apo pronarit të dyqanit. Pambukxhinj janë 4 dyqane dhe gjatë sezonit një punëtor mund të fitojë 7 groshë në ditë. Ky zanat ekziston falë fshatarëve që akoma e përdorin veshjen prej pambukut. Zhguntarë janë 10 dyqane, disa prej tyre i kanë nga dy ose tre kallfë dhe shegërt. Shegërti e mëson zanatin për dy vjet, ndërsa për ushqim ai i merr nga 0,20 dinarë në ditë. Por, nëse ka punë, atëherë kallfa mund të fitojë 7-8 groshë në ditë, gjegjësisht në vjeshtë dhe në dimër. Zhguntari mund të fitojë tre dinarë në ditë. Zhguni sillet prej Kumanove, por përpunimin e zhgunit tani nëpër shtëpitë e veta po e bëjnë edhe serbët dhe pastaj ata e sjellin atë për t’ua shitur zanatlinjve në Prishtinë. Argjendarë janë 7 dyqane, prej të cilëve katër janë ndreqës apo riparues, ndërsa tre dyqane janë shumë të mirë. Në të gjithë zanatin janë tre kallfë. Kallfa që i bën pesë vjet në zanat, paguhet 600 groshë për tërë vitin dhe në ditë i merr nga 0,30 dinarë për ushqim. Ndërsa vetë ustai mund të fitojë 5 dinarë në ditë. Lëkurëregjës janë 4 dyqane, dy prej të cilave e kanë nga një kallfë. Dyqani më i mirë i lëkurëregjësve, mund të ketë qarkullim vjetor prej 7000 – 8000 dinarë në vit dhe të paguajë qira në vlerë prej 100 dinarëve. Ky zanat ka qëndruar më mirë më parë, por me rënien e prodhimeve të lëkurës edhe puna është duke u zvogëluar dukshëm. Saraçë janë 4 dyqane turke dhe secili prej tyre e ka nga një kallfë dhe shegërt. Kallfët paguhen 30 groshë në muaj dhe atyre u paguhet edhe vakti i drekës. Saraçët punojnë mirë. Bukëpjekës janë 26 dyqane. Dyqanet më të mira i shpenzojnë nga 2 apo 2 thasë e gjysmë miell në ditë, ndërsa të tjerët më pak. Puna e bukëpjekësve shkon mirë. Fuçibërës janë 6 dyqane, ata bëjnë më tepër riparime edhe atë të fuçive për lakra. Në vjeshtë fuçibërësit kanë shumë punë ndërsa në pranverë punojnë mjelëse dhe tundëse. Kazanxhinjtë që bëjnë prodhime të reja janë dy, ndërsa prej tyre që ngjisin dhe kallajisin janë pesë. Puna u shkon mirë. Mutafçi janë pesë dyqane dhe puna e tyre shkon mirë, po ashtu puna u shkon mirë edhe tre bojaxhinjve. Vobarë janë nëntë dyqane dhe në çdo 10-15 ditë ata e përgatisin nga një furrë me prodhime në vlerë prej 80-100-150 groshëve. Dheun e kanë të mirë, prandaj edhe mallin e kanë kualitativ. Ata i shesin prodhimet e tyre në Gjakovë dhe Prizren. Këtij zanati në kualitet i ndihmon deltina e bardhë ranore dhe e yndyrshme e cila gjendet në afërsi të Prishtinës. Kaftorrxhi është vetëm një dyqan dhe ai i përpunon llamarinat e zeza në shporete, më pastaj bën masha, mangall… Ky dyqan ka mjaft punë. Sajexhi, janë 6 dyqane dhe puna u shkon mirë. Farkëtarë janë 10 dyqane, me pronarët romë dhe puna u shkon deri diku. Opingapunues janë 13 dyqane, por ata bëjnë opinga që shiten menjëherë pasi të punohen. Kasapë, janë 25 dyqane dhe në secili i ka nga 2-3 oratkë. Puna u shkon deri diku. Sapunxhi, është vetëm një dyqan dhe ai bën sapunë të thjeshtë. Zdrukthëtarë janë tetë dyqane dhe puna u shkon shumë mirë, pasi ka shumë ndërtime. Nallbanë janë 40 dyqane. Puna u shkon mirë dhe ata mbathin sipas modelit turk. Bonbonaxhi janë dy dyqane dhe puna u shkon mirë. Asërbërës janë katër dyqane dhe puna u shkon mjaft mirë. Kopshtarë ka aq sa që perime ka edhe në sezonin e vonë për mjedisin. Është interesante që lakra në Prishtinë e ka ngjyrën e kaltër të mbyllur, ndërsa shalqiri sillet këtu prej Shkupit dhe Velesit”, shkruhet në raportin e Ministrisë së Ekonomisë në Beograd të vitit 1912.