Policia ka realizuar operacion të gjerë të enjten ku janë kontrolluar lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë, me ç’rast me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, pesë persona të dyshuar, K.Gj., E.Gj., Q.Sh., M.Sh. dhe E.I., me dyshimin për kontrabandim të mallrave, prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë dhe mashtrimi të blerësve.
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka dhënë detaje shtesë për operacionin. Ajo ka njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit nga marsi i vitit 2023 e në vazhdimësi edhe tani, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, kanë kaluar vijën kufitare duke bartur mallra dhe shmangur kontrollin doganorë. Me mjete të ndryshme të transportit duke shfrytëzuar rrugët ilegale nëpër rrugë malore dhe rrugë të tjera kontrabanduan mallra të emëruara si “mjaltë” me origjinë nga vende të ndryshme, e cila futet në paketime të ndryshme dhe në kavanoz dhe këto mallra futen në Kosovë duke iu shmangur kontrollit doganorë dhe kontrolleve sanitare nga AUV në lidhje me cilësinë e këtyre produkteve.
“Të njëjtit, gjatë periudhës kohore të lartcekur, në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, mallin e kontrabanduar e vejnë në qarkullim për shitje pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar – AUV në Kosovë, duke e plasuar nëpër lokale të ndryshme nëpër Ferizaj dhe nëpër vende të tjera në Kosovë duke qenë të vetëdijshëm se mjalti i kontrabanduar nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmban substanca të dëmshme për shëndetin dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve të cilët e blenë këtë produkt, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë’ nga neni 261 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të pandehurit në vende të ndryshme të Kosovës me qëllim të mashtrimit të blerësve kanë vënë në qarkim prodhime me shenjën në të cilën janë të shënuara të dhëna të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes dhe kualitetit të produktit.