Opozita në Turqi ka shënuar një fitore të paimagjinueshme në zgjedhjet lokale që u zhvilluan të dielën, sidomos në qendrat më të mëdha.
Në Stamboll dhe Ankara, Ekrem Imamoglu dhe Mansur Yavas, mundën kandidatët e mbështetur nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan , i cili kishte humbur në dy qytetet më të mëdha turke edhe pesë vjet më parë.
“Sot votuesit tanë kanë marrë një vendim shumë të rëndësishëm, ata kanë vendosur për një politikë të re në Turqi. Ne kemi arritur një rezultat historik”, tha Ozgur Ozel, sekretari i partisë kryesore opozitare CHP.
Presidenti Erdogan pranoi humbjen pas publikimit të rezultateve pak pas mesnate, duke thënë për mediat shtetërore se AKP nuk mundi të merrte rezultatet që dëshironte në këto zgjedhje.
Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, konfirmoi edhe njëherë fuqishëm pozitën e tij. Me mbi 85% të votave të numëruara, ai mori më shumë se 50% të votave, duke u rikonfirmuar si kryetar bashkie dhe si rrjedhim mundi Murat Kurum, kandidatin e mbështetur nga presidenti Erdogan, i cili mbeti në 40%.
“Populli i Stambollit na dha autoritetin,” tha Imamoglu ndërsa shpalli fitoren, gjatë një fjalimi në selinë e CHP-së në Stamboll. “Ju keni hapur derën për të ardhmen,” shtoi ai, duke falënderuar votuesit dhe duke kritikuar “sistemin autoritar” të Rexhep Tajip Erdogan.
Në shumë lagje të Stambollit, votuesit e partisë kryesore opozitare CHP festuan masivisht rikonfirmimin e Imamoglu si kryetar bashkie, pasi ai kishte fituar tashmë pesë vjet më parë, duke rrëmbyer qytetin në Bosfor nga lëvizja politike e Presidentit Erdogan, e cila e kishte dominuar atë për më shumë se njëzet vjet.