Në një video që u publikua ditëve të fundit shihet Qani Rexhepi, vëllai i kryetarit të Bashkësisë Islame në Maqedoninë e Veriut Sylejman Rexhepit, duke e ofenduar rëndë heroin Adem Jashari.
Pas raportimeve se të njëjtit ishin dekoruar nga OVL-ja e UÇK-së, këta të fundit e sqaruan se nuk kanë ndarë mirënjohje për Qani Rexhepin dhe tre pjesëtarët e Medresesë “Isa Beu” në Maqedoninë e Veriut – që shihen në këtë video të publikuar nga një gazetar maqedonas.
Por, imami në xhaminë e Drenasit Osman Musliu reagoi ashpër pse OVL-ja e UÇK-së nuk e revokoi mirënjohjen e dhënë për vëllain e myftiut që e fyu rëndë Adem Jasharin.
“U nervozova kur e pashë këtë video që del një familjar i myftiut lëshon muzikë serbe në mes të Kosovës dhe merr guximin që ta shajë Adem Jasharin. Unë nuk e mbroj Adem Jasharin, sepse ai e ka mbrojtur veten shumë herët prej kur e ka nisur luftën që të na çlirojë prej okupatorit serb. Nuk ka shqiptar që mund ta mbrojë Adem Jasharin”.
“Unë u mllefosa aq shumë edhe e bëra një postim ku reagova. Kur e pashë në konferencën për media Nasim Haradinajn në seli të OVL-së së UÇK-së e analizova. Më dolën pesë të pavërteta me ato që tha ai. Para se ta fillojë konferencën, Nasimi kur e shpjegoi këtë video filloi me ‘gazetarin kontravers’, derisa unë gjeta argumente që ky gazetari veç e ka ripublikuar këtë video, sepse më 4 maj kjo video ishte nëpër portale të Maqedonisë së Veriut”.
“OVL e UÇK-së është dashur ta dënojë fillimisht si akt dhe më pas të merret edhe me gazetarin. Së pari duhej të vërtetohej nëse vëllai i myftiut të Maqedonisë së Veriut ka marrë mirënjohje prej OVL-së së UÇK-së dhe nëse po, të revokohej menjëherë. Unë e kam menduar që këtë duhet ta thoshte Nasim Haradinaj, por ky nuk e tha”.
Mulla Musliu ka insistuar se ka fakte që vëllai i myftiut, Avdyl Rexhepi, ka marrë Mirënjohje për Kontributin Kombëtar në selinë e OVL-së së UÇK-së.
Madje, ai ka nxjerrë një video si dëshmi për këtë që po e thotë.
“Unë kam video private që në selinë qendrore të OVL-së së UÇK-së kur ka qenë edhe myftiu Sylejman Rexhepi dhe vëllezërit Avdi Rexhepi dhe Qani Rexhepi derisa e kanë marrë mirënjohjen. Madje këtu është zhvilluar një bisedë e pakëndshme ku njëri prej tyre thotë ‘ne e kemi Donald Trumpin në dorë, sepse ia kemi fotografuar gruan lakuriq’. Kjo video ka qenë edhe në portalet e Maqedonisë së Veriut”, thotë Osmani në Klan Kosovë.
Lidhur me këtë, Nasim Haradinajn nga OVL e UÇK-së, ka mohuar që kjo organizatë ka ndarë mirënjohje për personat të cilët dëgjohen duke e fyer komandantin e UÇK-së.
“Katër persona që janë aty, asnjëherë nuk janë dekoruar, jam i sigurt për këtë. Asnjëri nga ta nuk ka qenë në selinë e Organizatës së Veteranëve në Prishtinë”.
“Nëse janë ndarë dekorata prej degëve, ne nuk jemi përgjegjës. Qani Rexhepi nuk ka marrë dekoratë kurrë”, ka thënë Haradinaj në Info Magazine në Klan Kosova.
“Mirënjohjet neve gjithmonë na propozohen nga degët. Këta katër persona kurrë nuk kanë marrë ndonjë mirënjohje. Ne nuk jemi ata që e kemi ligjin në dorë”.
“Unë nuk kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë. Ata katër persona që shihen në video, nuk janë dekoruar”, është shprehur Haradinaj, duke u thirrur në kërkesën për kërkimfalje nga Hoxhë Osman Musliu.