Presidentja Osmani sot tha se pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia.
“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Prandaj i bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha Osmani në ceremoninë e diplomimit të kadetetëve të rinj të Policisë së Kosovës.
Ndër të tjerash, ajo tha se është domosdoshmëri që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe EUROPOL.
“Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it”.
Ministria e Punëve të Brendshme dje njoftoi se 5 policë, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, Dejan Jankoviq, ndodhen akoma në mbajtje.
“Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar por nga ato që posedojmë deri tash, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serb) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. 5 nga ta janë liruar ndërsa 5 ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankovic.”