Osmani dhe Begaj bëjnë homazhe për Papën në Vatikan përkrah katër përfaqësuesve të feve

Presidenca e Shqipërisë ka bërë të ditur se Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në një ceremoni ku marrin pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga e gjithë bota.

Në një njoftim për media thuhet se Osmani dhe Begaj gjatë homazheve shoqëroheshin nga katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare, atij mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi.

“Një dëshmi e vëllazërisë mes besimeve dhe tolerancës fetare, të cilën Papa Françesku e ka çmuar edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri”.

“Në ceremoninë e nderimit të Papa Françeskut, krah Presidentit të Republikës ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kardinali Ernest Simoni, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja, e të tjerë”,thuhet në njoftim.