Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Britania është ndër aleatët kryesorë të vendit, pas takimit që pati me emisarin e Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Osmani përmes një njoftimi në Facebook ka shkruar se “sa më i madh të jetë roli i Britanisë në proceset e rëndësishme të rajonit, aq më të mëdha e të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”.
“Kënaqësi të pres në takim Sir Stuart Peach, të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët tanë kryesor, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Osmani tutje ka përgëzuar edhe Ambasadën Britanike në Kosovë, e cila sipas saj po bën punë të çmuar në mbështetjen e projekteve, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe viktimat e dhunës seksuale.
Ajo ka theksuar edhe një herë se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke.