Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar sot për gjetjet e inspektoratit të ministrisë, për rastin e vdekjes së aktivitetit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në vitin 2016 në paraburgim.
Haxhiu deklaroi se për rastin në fjalë ka shumë kontradikta dhe paqartësi, duke theksuar se ata gjetjet i kanë hedhur në një dokument të cilin do ta dërgojnë tek kryeprokurori i shtetit.
“Që nga marrja e detyrës, nga zyrtarë të ndryshëm, kemi pranuar informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast. Për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, nëse zyrtarët përgjegjës kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre, kam kërkuar inspektim dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e këtij rasti. Më lejoni që sot t’i adresoj gjetjet e inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, raporti i përpiluar nga inspektimi Ministrisë së Drejtësisë, ka evidentuar shumë shkelje.
Ajo tha se incizimet e kamerave të sigurisë në Burgun e Prizrenit, ku Dehari ishte në prburgim ishin marrë fillimisht nga zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Kryeinspektori i MD-së, e mandej nga Policia e Kosovës.
“Marrja dhe posedimi i incizimit të kamerave me aprovim të drejtorit të ish-Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarët e komisionit tjetër, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave. Është e rëndësishme të theksohet se incizimet janë marrë nga kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrtarët e SHKK-së, janë marrë para se ato t’i merrte policia, pra nga data 5-7 nëntor të vitit 2016”, tha Haxhiu.