Pamjet shqetësuese satelitore: Ç’po bën Rusia?

Rusia ka zhvendosur rreth 100,000 trupa – të pajisura me gjithçka, nga tanket dhe artileria te municionet dhe forcat ajrore – në kufirin me Ukrainën, por mohon planifikimin e një pushtimi.

Rreth 35,000 personel rus janë të vendosur përgjithmonë pranë territorit ukrainas. Të mërkurën, ministria ruse e mbrojtjes publikoi fotografi të njësive ushtarake që ishin rrugës për në një qendër trajnimi në Rostov, pranë kufirit me Ukrainën.

Disa njësi të sapoardhura kanë udhëtuar afro 4000 milje, nga Lindja e Largët Ruse, shkruan BBC. Shumica e vlerësimeve thonë se numri i trupave ruse të dislokuara rreth Ukrainës – në veri, jug dhe lindje të vendit – janë rreth 100,000. Por një vlerësim ukrainas, i publikuar nga CNN, thotë se ka 106,000 trupa tokësore dhe 21,000 anëtarë të marinës dhe forcave ajrore.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të martën:

“Shërbimet e inteligjencës e kanë shumë të qartë se ka 60 grupe luftarake ruse në kufijtë e Ukrainës, rreth një e treta e numrit të përgjithshëm të disponueshëm”.

Përveç trupave të rregullta ruse, vlerësohet se ka rreth 15 mijë separatistë rusë në rajonet e Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk.

Por disa analistë perëndimorë thonë se Rusia nuk ka mbledhur ende gjithçka që nevojitet për një pushtim tokësor. Ata theksojnë mungesën e spitaleve të lëvizshme në terren me personel të plotë në disa zona. Ardhja e stafit mjekësor, thonë ata, mund të tregojë gatishmëri për një sulm.

Forcat ruse prej disa mijëra ushtarësh janë transferuar në Bjellorusi për një stërvitje të përbashkët ushtarake që do të arrijë kulmin midis 10 dhe 20 shkurtit. Presidenti Alexander Lukashenko ka mbështetur presidentin rus Vladimir Putin.

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, është më pak se 100 milje (150 kilometra) nga kufiri me Bjellorusinë. Vëzhguesit perëndimorë thonë se stërvitja, e quajtur Allied Resolve, mund të ofrojë një mundësi për të praktikuar një mision kundër Ukrainës.

Fotot e postuara në internet thuhet se tregojnë pajisje ushtarake, duke përfshirë automjete të blinduara, tanke dhe sisteme raketash, që udhëtojnë drejt zonës. Rusia ka njoftuar vendosjen e avionëve luftarakë të avancuar Su-35 në Bjellorusi, së bashku me sistemet e mbrojtjes ajrore, municionet dhe mbështetjen mjekësore.

Rusia po zhvillon gjithashtu stërvitje detare botërore, nga Atlantiku në Paqësor, nga ky muaj deri në shkurt, në të cilat marrin pjesë 140 anije dhe anije mbështetëse, 60 avionë dhe 10,000 njerëz.

Gjashtë anije të Marinës Ruse, të afta për të zbarkuar tanket kryesore të betejës, personelin dhe mjetet e blinduara, kaluan Kanalin Anglez në rrugën e tyre për në stërvitjet në Mesdhe. Por është e paqartë nëse Deti i Zi dhe bregdeti ukrainas mund të jenë destinacioni i tyre i vërtetë.

Disa analistë thonë se zbarkimi amfib i trupave ruse do të ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe se forcat detare mund të jenë një “mashtrim” për të tërhequr vëmendjen e forcave tokësore të Ukrainës nga rrugët më të mundshme të sulmit në tokë.