Britania e Madhe mund të bëhet vendi me më shumë vdekje në Evropë. Ky është paralajmërimi që ka bërë një nga shkencëtarët më të mirë të vendit.
Sir Jeremy Farrar, drejtor i “Wellcome Trust”, është shprehur se rritja e numrit të testeve mund të të blenë ca kohë për t’u përballur me krizën dhe se nga ky fakt ka vend për të marrë mësime.
I pyetur tri herë nëse ishte dakord me mundësinë që Anglia mund të kthehet në një nga vendet më të goditura nga koronavirusi në Evropë, ai nuk iu përgjigj në mënyrë direkte pyetjes.
Farrar u shpreh:
“Vende të ndryshme janë në stade të ndryshme të ciklit. Jemi në trajektore të ndryshme. Ajo që kemi bërë me këshillat që u kemi parashtruar tani njerëzve, për të qëndruar në shtëpi, është pikërisht sepse ne duam të sigurohemi që kemi një sheshim të kurbës, që shkalla e infeksionit mos të rritet, dhe në fund të fundit jetët e njerëzve të shpëtohen. Ne kemi filluar t’i shohim këto masa që funksionojnë, por ato do të qëndrojnë në vend derisa të kemi këshilla të reja nga Sage (këshilltarët shkencorë të Qeverisë).”
Më tej, shkencëtari e pranoi gjithashtu që është e mundur që Britania e Madhe të jetë një nga vendet më të prekura nga Covid-19 në Evropë.
“Shifrat në Mbretërinë e Bashkuar po vazhdojnë të rriten. Po, Anglia ka të ngjarë të jetë me siguri një nga vendet më të goditura, nëse jo edhe vendi më i prekur në Evropë,” tha ai.