Partia katalonjase Junts, e drejtuar nga Carles Puigdemont, i është drejtuar Parlamentit të Spanjës me një kërkesë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian – bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë – që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Në letrën e partisë Junts përmendet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në vitin 2010 kishte deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gjithashtu përmendet edhe njohja e Kosovës prej mbi 100 shteteve.
“Refuzimi spanjoll për ta njohur një shtet që shfrytëzoi të drejtën legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Dhe ky refuzim është një faktor destabilizues në këtë zonë, në një kontekst të shënuar nga luftë në Ukrainë të cilën kjo pjesë e Evropës e përjeton me ankth të veçantë”, thuhet në propozim.
“Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ndajë të njëjtën strategji si Rusia, Kina ose Bjellorusia, me refuzimin për ta njohur Kosovën”.
Spanja i tha më 28 maj Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës.