Parullat kundër Hamasit u brohoritën të martën në një demonstratë të disa qindra palestinezëve që bënin thirrje për t’i dhënë fund luftës me Izraelin në Beit Lahia, në Rripin verior të Gazës.
“Hamas terrorist”, brohoritën protestuesit në një protestë prej qindra njerëzve, kryesisht burra, të cilët filluan duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës.
Kështu kanë thënë disa dëshmitarë për të përditshmen franceze L’Orient Le Jour.
Ushtria izraelite rifilloi bombardimet në Rripin e Gazës më 18 mars pas një qetësie gati dy-mujore në luftën e shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
“Nuk e di se kush e organizoi protestën”, ka treguar Mohammad, një protestues që nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij nga frika e hakmarrjeve.
“Mora pjesë për të dërguar një mesazh nga njerëzit: Mjaft luftës”, ka shtuar ai, duke pretenduar se “kishte parë anëtarë të forcave të sigurisë të Hamasit me rroba civile duke shpërndarë demonstratën”.
Majdi, një tjetër protestues i cili gjithashtu nuk pranoi të jepte emrin e tij, ka treguar se “njerëzit janë të lodhur”.
“Nëse largimi i Hamasit nga pushteti në Gaza është zgjidhja, atëherë pse Hamasi nuk e lë pushtetin për të mbrojtur njerëzit?”.
Në median sociale Telegram, të martën kishte qarkulluar të paktën një thirrje për demonstratë. Mesazhe të tjera me origjinë të panjohur bëjnë thirrje për protesta në vende të ndryshme në të gjithë Rripin e Gazës të mërkurën.
Izraeli u bën thirrje rregullisht palestinezëve në Gaza të rebelohen kundër lëvizjes palestineze që mori pushtetin në Rripin e Gazës në vitin 2007.
Pas më shumë se 17 muajsh armiqësi, territori i vogël është shkatërruar.
Sakaq, situata humanitare ka qenë veçanërisht e rëndë që kur Izraeli mbylli pikat kufitare për ndihma dhe mallra ndërkombëtare më 2 mars, duke shpresuar të detyrojë Hamasin të pranojë lirimin e pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor 2023, përpara se të intensifikojë më tej presionin duke rifilluar bombardimet më 18 mars.
Sipas sondazhit të fundit të disponueshëm nga Qendra Palestineze për Kërkimin e Politikave dhe Anketave (PCPSR), 35 për qind e palestinezëve në Rripin e Gazës thanë se mbështesin Hamasin në shtator dhe 26 për qind mbështesin Fateh, partinë e presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas.
Që kur Izraeli rifilloi operacionet ushtarake më 18 mars, të paktën 792 palestinezë janë vrarë në territorin e rrethuar, sipas një raporti nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit në Gaza të publikuar të martën.
Sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor rezultoi në vdekjen e 1 mijë e 218 personave në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në të dhënat zyrtare.
Nga 251 pengjet e marra në sulm, 58 mbahen ende në Rripin e Gazës, 34 prej të cilëve janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.