Pas 30 vjetësh qëndrimi, dëbohet nga Zvicra

Ai është gjobitur rreth 20 herë, ka jetuar vetëm nga ndihmat sociale për një kohë të gjatë dhe ka grumbulluar borxhe në shuma të larta, transmeton albinfo.ch. Shtetasi malazez nga kantoni Aargau duhet të largohet nga Zvicra, pas 30 vjetësh qëndrimi këtu, ka vendosur Gjykata Federale.

Burri 47-vjeçar jetonte në Zvicër që nga fillimi i viteve 1990, kishte marrë lejen e qëndrimit të përhershëm (Vizën C) disa vite më vonë dhe i ka rritur fëmijët e tij këtu. Për shkak të “futjes së qëllimshme në borxhe”, zyra e migracionit në Aargau dhe gjykata administrative ia kanë hequr atij lejen e qëndrimit të përhershëm. Një vendim që tashmë e mbështet Gjykata Federale, shkruan “Aargauer Zeitung”.

Në të vërtetë është shumë e rrallë që të huajve në Aargau t’u hiqet leja e qëndrimit të përhershëm. Por rasti aktual bie në sy.

Mes viteve 2002 dhe 2022, 47-vjeçari i sotëm është gjobitur 20 herë për shkelje të ligjeve të ndryshme. Nga viti 2009 deri në gusht 2020, ai ka marrë kontribute të asistencës sociale në shumën prej rreth 247,000 frangash. Ai ka nisur punën me kohë të plotë vetëm në vitin 2022.

Gjykata Federale konfirmon vendimin

Në vitin 2010 atij i ishte kërkuar nga Zyra e Migracionit e Kantonit të Aargaut që të përmbushte detyrimet e tij financiare. Në atë kohë ai kishte arkëtime të papaguara borxhi prej 68,000 frangash dhe certifikata humbje të pashlyera që arrinin në 60,000 franga.

Pavarësisht paralajmërimeve zyrtare në vitin 2018, borxhet e tij vazhdonin të rriteshin. Derisa arritën shumën prej rreth 262,000 frangash në prill të vitit  2021.

Zyra e migracionit më pas e ka kërcënuar atë në vitin 2021 se do t’ia revokonte lejen që kiste (Vizën C) dhe do ta dëbonte nga Zvicra, transmeton albinfo.ch. Kjo (revokimi)  më në fund ndodhi në shkurt të vitit 2022.

“Ankuesi ishte vetë përgjegjës për vështirësitë financiare në të cilat ishte futur. “Sepse ai nuk ka ndjekur punësim të përhershëm, por ka filluar punë me kohë të plotë vetëm në vitin 2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale.

Ai grumbullonte vazhdimisht borxhe dhe “jetonte përtej mundësive të tij për vite duke rritur standardin e tij të jetesës në kurriz të të tjerëve”.

Gjykata Federale ka vendosur gjithashtu se dëbimi i tij ishte proporcional me shkeljet që kishte bërë malazezi. Pavarësisht se ka jetuar në Zvicër për gati 30 vjet, ai nuk ishte integruar këtu, në aspektin social dhe ekonomik.

Ai, në ankesën e bërë ka pohuar se Mali i Zi ishte bërë i huaj për të dhe se nuk mund të gjente veten atje, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, gjykata në kundërshtimin e saj ka theksuar lidhjet e tij familjare me vendin dhe njohjen e tij me gjuhën dhe kulturën.

Përveç kësaj, ai nuk paguan ushqim për vajzën e tij të mitur – një arsye tjetër për akuzën e gjykatës. Prandaj, është e arsyeshme që ai të ndërtojë një rrjet të ri social – edhe në një vend tjetër nga ai i fëmijës së tij.