Pas dorëzimit të dorëheqjeve, një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë filluar të dorëzojnë armët në nën-stacionin policor të Zveçanit
Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës të cilët kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre të dielën, të hënën e 7 nëntorit kanë filluar të dorëzojnë armët në nën-stacionin policor të Zveçanit.
Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve vjen pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe.
Po ashtu, përmes një njoftimi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pasur dorëheqje të punonjësve të komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës.
Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.
Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.