Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se 13 marrëveshjet e planifikuara të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët, janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Ato janë nënshkruar nga pala shqiptare, dhe pritet përgjigja nga institucionet e Kosovës.
Rama ka shkruar se pas firmosjes nga Kosova, pret që të marrë konfirmim nga kryeministri Kurti për takimin që është planifikuar për sot.
Madje, Rama ka shkruar “pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kurti”, lidhur me deklaratat e djeshme të kryeministrit të Kosovës.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama.
Ndërkohë, kryeministri Kurti të mërkurën në konferencë për media, ka bërë të ditur se me Ramën mund të takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që ishte anuluar në qershor.
Kurti ka thënë se meqë Rama do të qëndrojë në Kosovë, ka kërkuar që të mbahet mbledhja e dy qeverive e cila ishte anuluar kohë në qershor nga qeveria shqiptare.
“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejt më kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Është thënë që ky tur ballkanik ka të bëjë më përgatitje të samitit të radhë të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor, pra më shumë sesa tre muaj prej tani dhe unë miqësisht i kam kërkuar Ramës meqë do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë që ta mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anulua paarsyeshëm”
“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakordohen dhe të mos mbeten në sirtarë sepse nga to nuk fitojnë kryeministrat por qytetarët. Dhe unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këto le ta mbajë edhe një mbledhje të përbashkët të qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar.”
“Nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera,” –ka thënë ndër të tjera kryeministri i Kosovës.
Ndërkaq, për refuzimin e Kurti, kryeminsitri Rama nuk ka pranuar ta komentojë.
Ai dje gjatë ditës tha se do të flasë në Prishtinë për këtë gjë.