Pas çështjeve “Panama Paper” në 2016 dhe “Pandora Paper” vitin e kaluar një tjetër skandal po godet botën e financës ndërkombëtare, që zbulon një lidhje të dyshimtë të bankave ndërkombëtare me disa nga personazhet me të diskutuar të planetit.
Edhe një herë kemi të bëjmë me një rrjedhje masive informacionesh, por kësaj radhe jemi në Europë, në Zvicrën ku përqendrohen kapitale të mëdha parash, shpesh herë të padeklaruara dhe nga burime tejet problematike.
Në veçanti, në rrjedhjen e këtyre orëve nën llupën e mediave ndërkombëtare është një prej bankave më të mëdha të atij vendi, Credit Suisse.
Informacionet mbi 18 mijë llogari bankare të kësaj banke, me një vlerë totale që kalon shifrën e 100 miliardë dollarëve, arrtën fillimisht në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, dhe më pas u analizuan nga një konsorcium ku përfshihen mediat me prestigjioze në botë, me një metodologji të ndjekur edhe me skandalet e mëparshme në parajsat fiskale.
Rezultati i analizës së mijëra dokumenteve ka dhënë rezultate, ende paraprake, vërtetë shqetësuese. Nga viti 2014 Zvicra ka rregulla shumë më shtrënguese për sa i përket depozitave bankare dhe veçanërisht prejardhjes së fondeve. Kjo në letër, sepse informacione të rrjedhura tregojnë se edhe pas asaj date klientë të pasur por edhe problematikë vijojnë të mbajnë aty llogari qindra milionë euroshe.
Zyrtarë nga vende si Venezuela, të lidhur me kompaninë shtetërore të naftës, mbajnë në Credit Suisse, llogari që në total arrijnë 270 milionë dollarë.
Llogari bankare për një shifër ende jo të saktësuar kanë si pronarë djemtë ish diktatorit egjiptian Hosni Mubarak, si dhe persona shumë të afërta me një ish-diktator tjetër, Robert Mugabe i Zimbabvesë.
Pjesa më e madhe e këtyre llogarive vjen nga Lindja e Mesme, shpesh herë janë totalisht të pajustifikuara, disa herë cilësohen nga vetë pronarët si totalisht të ligjshme. Si llogaritë e mbretit të Jordanisë Abdallah II. Vetëm në një nga 6 llogaritë në emrin e tij në Credit Suuisse, gjendeshin 224 milionë dollarë. Sipas tij, ato fonde buronin nga pasuria personale e tij, shërbejnë për shpenzimet e tij personale, si dhe për përkujdesjen e disa vendeve islamike të gjykuara si të shenjta.
Credit Suisse ka deklaruar që llogaritë vijnë nga një kohë kur kontrollet ishin më të lehta, por skandali i fundit është vetëm i fundit për bankën zvicerane në vitet e fundit.
Në 2014, Credit Suisse ka kthyer 2.6 miliardë dollarë autoriteteve amerikane, shifër që buronte nga evazioni fiskal i qindra klientëve dhe kompanive amerikane.
Kjo shifër u pasua nga një tjetër më të madhe, 5.3 miliardë dollarë për reklamimin e skemës së letrave më vlerë me kolateral në 2017, sërish qeverisë amerikane, që prej vitesh ka në llupën e saj bankat e vendit europian.
Vitin e kaluar, evazionit fiskal iu shtua edhe dyshimi i fshehjes së burimeve të organizatave kriminale. Credit Suisse i ktheu autoriteteve amerikane dhe Britanike 475 milionë dollarë që buronin nga skema mashtrimi në Mozambik. Por ka edhe akuza të tjera, me procese gjyqësore ku banka akuzohet se pastron paratë trafikut ndërkombëtar të drogës.