Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ngriti disa pyetje për kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, të cilët garojnë në zgjedhjet e 6 marsit. Kim pyeti kandidatët se si mund të marrin pjesë në një fushatë, kur sponsorizohen nga Berisha, të cilin Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në vendin e tyre, pasi e akuzojnë për korrupsion dhe minim të demokracisë.
“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsorizuesi kryesor i juaj është dikush i shpallur “non grata” për korrupsion domethënës, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do të jenë pronarët tuaj nëse fitoni dhe çfarë detyrimi do të keni kundrejt tyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkroi Kim në Twitter.
Që prej shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, Berisha e ka sulmuar disa herë ambasadoren amerikane, duke e quajtur mbështetëse të qeverisë Rama dhe me një sjellje si të ambasadorit të Bashkimit Sovjetik dikur në Shqipëri.