Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns është duke qëndruar në një vizitë në Kosovë.
Telegrafi mëson se William Burns sot është duke zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lidhur me takimin që po zhvillohet Qeveri, Telegrafi ka kontaktuar edhe me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por që deri në publikimin e lajmit, ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ky takim ndërmjet Burns dhe Kurtit, vjen pasi të enjten ai ka zhvilluar takim edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Ndryshe, para Kosovës, Burns qëndroi në Sarajevë e më pas edhe në Beograd, në një linjë vizitash që është duke i bërë shteteve ballkanike.
Si në Bosnje, ashtu edhe në Serbi, amerikani takoi shefat e Agjencive të Intelegjencës të këtyre shteteve.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Ai po ashtu është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.